QMK për vërshimet: Tetova përballet me rrëshqitje dheu, në Kërçovë janë evakuuar 120 persona!

5 Min. Leximi

Për shkak të përmbytjeve që kanë goditur pjesë të vendit si pasojë e reshjeve të shiut, në Koçan dhe Ohër po ndërhyhet me mekanizëm për shkak të daljeve të lumenjve nga shtrati. Në rajonin e Shkupit nuk ka shqetësime të veçanta lidhur me reshjet, ndërsa në Tetovë janë raportuar rrëshqitje të dheut në rrugët lokale, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).

Nga QMK theksojnë se në Komunën e Koçanit është vërejtur rritje e konsiderueshme e nivelit të lumenjve dhe kanaleve në pjesën e fushës: Lumi i Koçanit ka pasur përmbytje lokale pranë fshatit Gorni Podlog, ku autoritetet ndërhyn me mekanizim; lumi Zrnovskë ka dalë nga shtrati para derdhjes në lumin Bregallnica, ndërsa lumi Orizar ka dalë nga shtrati pranë fshatit Gërdovci, ku gjendja është më kritike.
Janë përmbytur disa bodrume të shtëpive pranë lumit. Ujësjellësi Bregalnica ndërhyn me mekanizim të rëndë, ndërsa MPB ka ndaluar qarkullimin e mjeteve motorike në hyrjen veriore të fshatit. Lumi Zletovska dhe lumi Bregalnica kanë nivel të rritur, por për momentin nuk ka përmbytje. Niveli i ujit në burimet e sipërme po stabilizohet dhe ka tendencë të ulet, ndërsa në rrjedhat e mesme dhe të poshtme gjendja mbetet kritike.

Në rrugën Maqedonska Kamenicë – miniera SASA, për shkak të rrëshqitjes së dheut, qarkullimi bëhet me një korsi për rreth 200 metra. Në Probishtip, për shkak të daljes së lumit Kiselica në rrugën F. Neokazi – F. Petrishinë, qarkullimi është i vështirësuar.
Në rajonin e Shkupit nuk ka shqetësime të veçanta lidhur me reshjet e shiut.

Në Ohër, është mbajtur takim i Shtabit Emergjent të Komunës, me vendim që të vihen në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe materiale. Lagjja Daljan është përmbytur për shkak të daljes së lumit Dalja. Ekipe me mekanizim të rëndë po drejtojnë ujin drejt liqenit, ndërsa me pompa bëhet zbrazja e bodrumeve, oborreve dhe objekteve të biznesit. Përmes numrit 112 janë pranuar shumë ankesa nga kjo zonë. Probleme janë regjistruar edhe në lumin Koselska pranë fshatit Livoishtë, ku uji i madh ka dëmtuar rrugën pranë urës drejt fshatit Vapila. Autoritetet kompetente janë njoftuar.
Në Kërçovë, niveli i lumenjve po ulet, por në disa lokacione gjendja mbetet kritike. Rreth 120 persona nga rruga “Prilepska” janë evakuuar dhe strehuar në palestrën sportive “Hristo Uzunov”. Gjatë ditës së nesërme do të bëhet vlerësimi i objekteve të dëmtuara.

Në rajonin e Manastirit, zona urbane është normalizuar, përveç në lagjen Stërçin, ku ka depozitime të dheut dhe zhavorrit. Në fshatrat Kravari, Zhaveni dhe Porodin janë përmbytur sipërfaqe bujqësore, por nuk ka rrezik për objekte banimi. Rrugët rajonale dhe magjistralet janë të kalueshme, me depozitime të herëpashershme që po pastrohen. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe shërbimet kompetente ndërhyjnë me mekanizim dhe burime njerëzore.

Në Resnjë, si pasojë e reshjeve, janë përmbytur sipërfaqe bujqësore, oborre dhe objekte ndihmëse në disa fshatra. Janë angazhuar ekipe me pompa dhe mekanizim, ndërsa niveli i lumenjve po ulet gradualisht. Në Krushevë dhe Demir Hisar ka përmbytje lokale nga lumenjtë Cërna dhe Obedniçica, me oborre, sipërfaqe bujqësore dhe rrugë lokale të përmbytura. Pjesë e infrastrukturës rrugore është dëmtuar, ndërsa shtabet komunale janë në koordinim të vazhdueshëm dhe ndërhyjnë në pikat kritike.

Në Kumanovë, Likovë dhe Nagoriçan i Vjetër për momentin nuk ka përmbytje, ndërsa janë vërejtur shtresa të ngrira në rrugë të caktuara, ku shërbimet kompetente ndërhyjnë. Në rajonin e Kriva Pallankës, Rankovcës dhe Kratovës nuk ka shqetësime, të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe furnizimi me energji elektrike është i qëndrueshëm.

Në rajonin e Tetovës, janë raportuar rrëshqitje të dheut në rrugët lokale drejt fshatit Gjermë dhe zonës Banjicë, të cilat janë të papërshkueshme për momentin. Komuna ndërhyn me mekanizim. Në Reçicë të Vogël është raportuar shembje e një muri mbajtës, ku ka pasur dëme materiale. Rasti po trajtohet nga shërbimet kompetente. Në Komunën e Zhelinës, është raportuar përmbytje e lumit Vardar në fshatin Strimnicë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull