Qeveria e Maqedonisë së Veriut po përgatit ndryshime në Ligjin për Qeverinë, të cilat parashikojnë shfuqizimin gradual të modelit të ashtuquajtur të “Qeverisë teknike”, mekanizëm që zbatohet para zgjedhjeve parlamentare.
Burime qeveritare bëjnë të ditur për PressOnline.al se drafti përfundimtar i ndryshimeve tashmë është dorëzuar në ekzekutiv dhe pritet që në periudhën e ardhshme të shqyrtohet në një nga mbledhjet e qeverisë. Pas miratimit në kabinet, propozimi do t’i dërgohet Kuvendit për procedurë parlamentare.
Sipas informacioneve nga burime brenda Qeverisë, është propozuar një zgjidhje kalimtare: modeli aktual i qeverisë teknike të zbatohet edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa të mos aplikohet më në ciklet zgjedhore pas tyre. Ky formulim është paraqitur si kompromis politik, pas rezervave të shprehura nga opozita, veçanërisht nga LSDM.
Paketa e ndryshimeve pritet të saktësojë edhe shpërndarjen e posteve në periudhën parazgjedhore, duke përcaktuar në cilat resore opozita do të ketë ministra teknikë dhe zëvendësministra shtesë. Këto rregullime janë të nevojshme edhe për shkak të riorganizimit të fundit të institucioneve qeveritare.
Me reformën institucionale, ish-Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është ndarë në dy institucione të veçanta: Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Ndërkohë, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është transformuar në Ministrinë e Transformimit Digjital dhe Ministrinë e Administratës Publike.
Sipas të njëjtave burime, ekziston një mirëkuptim që në zgjedhjet e ardhshme opozita të mbajë postet e ministrave teknikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në resorin e politikës sociale, ndërsa të ketë edhe zëvendësministra shtesë në administratën publike, financa dhe bujqësi.
Megjithatë, LSDM vazhdon të kundërshtojë idenë e heqjes së këtij mekanizmi në këtë fazë. Përfaqësues të kësaj partie theksojnë se Qeveria teknike duhet të mbetet pjesë e sistemit derisa të garantohet plotësisht standardi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas praktikave evropiane.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski e lidh iniciativën për ndryshime me zhvillimet e fundit në nivel ndërkombëtar, duke përmendur vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për mbylljen e dialogut postmonitorues me Maqedoninë e Veriut, që sipas tij është tregues i konsolidimit demokratik të vendit.
Ndërkohë, nga BDI ende nuk ka një qëndrim përfundimtar lidhur me mbështetjen e ndryshimeve ligjore. Nga kjo parti thonë se qëndrimi do të bëhet publik pasi propozimi të arrijë në Kuvend dhe pasi të analizohet përmbajtja e tij. Ndërsa, dy krahët e Aleancës për Shqiptarët vlerësojnë se kushtet politike dhe institucionale për shfuqizimin e Qeverisë teknike ende nuk janë plotësisht të përmbushura.(PressOnline.al)

