Amir Shabani
PSE S’PO PËRFUNDON HESHTJA POLITIKE?!
Tre ditë pas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, njëherit partia që kryeson Aleancën Kombëtare për Integrim (AKI), ende nuk është shfaqur në publik. Kjo heshtje nga Reçica e Vogël tregon qartë se atje ka zhgënjim të madh sa u përket rezultateve të para. Ata e interpretojnë mungesën e një paraqitjeje publike si kohë që partia po i jep vetes për të kryer një analizë të plotë të rezultateve dhe sipas tyre, ata po punojnë intenzivisht në një strategji për të kompensuar sa më shumë që të jetë e mundur në raundin e dytë.
“Shpresa vdes e fundit” – thotë një fjalë popullore.
Humbja, mbi të gjitha, e Çairit dhe Sarajit dhe udhëheqja e VLEN-it në komunat e tjera, pati jehonë më të fortë se sa pritej. Eksponentët nga radhët e BDI-së thonë se nuk ka asnjë vlerësim se ku realisht partia bëri gabim.
Disa prej gabimeve që mund të numërohen janë:
1. Kandidimi i Bujar Osmanit (ishte për ta eliminuar atë nga gara për kryetarin e ardhshëm të BDI-së).
Ali Ahmeti udhëhoqi fushatë të gabuar – politikë nacionaliste në vend të politikës lokale dhe politikë referendumi e legjitimiteti në vend të asaj lokale. Qëllimi i tij ishte të sulmonte Hristijan Mickovskin si një kryeministër maqedonas që sipas Ali Ahmetit, poshtëron VLEN-in dhe anulon të drejtat e shqiptarëve (vërejtje të cilat sa ia kanë bërë Ali Ahmetit kur ishte në qeveri me Nikola Gruevskin, nuk i merrte parasysh). Ai i quajti përfaqësuesit e VLEN-it tradhtarë të komanduar nga Mickovski, i ofendoi me fjalor të ulët duke ju thënë zagarë, lakej etj. Tubimet e tij ishin për vetëpromovim, e jo platformë dhe plan katërvjeçar për zgjedhjet lokale në vend. Pasi dështoi “referendumi” i AKI-së, zgjedhja e një kandidati për kryetar të partisë kishte një sfond tjetër.
2. Mbivlerësimi i Arben Taravarit.
Një gabim i dytë që i atribuohet Ahmetit jo vetëm nga kritikët, por edhe nga mbështetësit e tij, është se ai e çoi përpara procesin që e kishte kritikuar më parë – për të mos e fragmentuar skenën politike shqiptare. Në fakt, largimi nga VLEN-i dhe bashkimi i Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari në frontin e udhëhequr nga BDI-ja, u perceptua në Reçicën e Vogël si një veprim që do t’i sillte vlerë të shtuar frontit opozitar. Edhe pse disa nga pjesëmarrësit në atë front paralajmëruan se Taravari ishte “i mbivlerësuar” dhe nuk kishte peshën politike që i atribuohej, përparësia u pa në mundësinë që ai të mund ta minonte thellësisht kompaktësinë e VLEN-it. Pas zgjedhjeve, doli që koalicioni i BDI-së me Taravarin nuk solli rezultate në asnjërin aspekt. Bilall Kasami nga VLEN-i në një intervistë kujton se si filloi historia – bazuar në disa analiza ekspertësh dhe sondazhe të opinionit publik, Taravarit iu tha se do të ishte e vështirë për të që të fitonte në Komunën e Gostivarit derisa ishte pjesë e VLEN-it dhe shumë më e lehtë nëse do të ishte në një bllok me BDI-në. Taravari e përdori këtë “alibi” për të negociuar me VLEN-in me qëllim marrjen e kandidaturave për gjashtë komuna dhe duke e ditur se nuk do ta merrte, ai i siguroi vetes edhe një “arsye” për t’u larguar nga ai koalicion.
3. Foleja e re e Taravarit.
Tani, kur Arben Taravari dështoi ta mobilizonte elektoratin në Gostivarin “e tij” dhe procesi i votimit do të përsëritet sepse regjistrimi i popullsisë nuk u arrit dhe nuk ka censuz, VLEN-i i thotë se dështimi për të zbatuar regjistrimin në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit është përgjigjja më e qartë ndaj akrobacive politike që janë kryer me muaj në emër të shqiptarëve, por për interesa personale. Taravari shkoi për gjashtë komuna, qëndroi me katër dhe përfundoi me zero.
Taravari akoma nuk shpjegon se cilat janë risitë në dinamikën politike. Megjithatë, ka spekulime të shumta se AKI po negocion prapa skenave me partitë opozitare maqedonase (LEVICA) për mbështetje në disa komuna, gjë që, sipas kalkulimeve të opozitës shqiptare, do t’i lejonte AKI-së të kundërpërgjigjej në disa prej tyre dhe Ali Ahmeti do të shuante thirrjet për tërheqjen e tij politike. Një bashkëpunim i tillë (BDI/AKI-LEVICA) do të përfshinte edhe aktivitete në planin afatgjatë, jo vetëm për raundin e dytë. Mirëpo, momentalisht tezat e tilla mbeten të jenë hipotetike dhe të padefinuara, duke pasur parasysh se partitë e përmendura në këtë kontekst nuk kanë interes të flasin publikisht.