Amir Shabani

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila për vite me radhë ka qenë zëri i diplomacisë së BE-së dhe personaliteti që ka ditur të mbajë dialogun gjallë edhe me presidentin rus Vladimir Putin, së fundmi ka fajësuar Poloninë dhe shtetet baltike për pushtimin rus të Ukrainës, në një intervistë me median hungareze.
Merkeli donte të negocionte me Putinin në vitin 2021, por thotë se “disa nuk e mbështetën këtë, kryesisht shtetet baltike, por Polonia gjithashtu e kundërshtoi atë sepse kishin frikë se ne nuk do të ishim në gjendje të zhvillonim një politikë të përbashkët kundër Rusisë…Pastaj unë u largova nga detyra dhe filloi lufta e Putinit”.

Angela Merkel tha se Polonia dhe shtetet baltike bllokuan iniciativën e saj për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë në vitin 2021 – një veprim që ajo beson se u bë një nga arsyet e vendimit të Putinit për të nisur operacionin në Ukrainë.
Ish-kancelarja e Gjermanisë shpjegoi tutje se Varshava dhe qeveritë baltike kishin frikë se BE-ja do të dështonte të formonte një qëndrim të unifikuar ndaj Moskës nëse bisedime të tilla do të vazhdonin. Merkeli ka argumentuar se mungesa e dialogut të drejtpërdrejtë me Putinin ndikoi në vendimin e tij për të filluar Operacionin Special Ushtarak.
Ajo ende beson se paqja është e mundur, por vetëm nëse Evropa vepron si një forcë e vërtetë frenuese dhe mbështet Ukrainën.