Aq të mira janë mundësitë dhe aq i lartë është niveli i optimizmit në Lituani, saqë vendi ka kryesuar në renditjen e Raportit Botëror të Lumturisë për personat nën moshën 30-vjeçare. Universiteti është falas, ekonomia është duke lulëzuar dhe klubet e natës janë të mbushura. Pra a është çudi që të rinjtë në Vilnius janë të lumtur?
Nën hijen e një peme, në një ditë të nxehtë në Vilnius të Lituanisë, disa të rinj, që duken si më të lumturit në botë, po pinë kafe. Meqë moti është perfekt dhe pijet janë të lira, është e vështirë të mos ndihesh kaq i lumtur. Simona Jurkuvenaite 23-vjeçare, sapo ka marrë 21 mijë euro nga Qeveria e Lituanisë për të bërë një film të metrazhit të shkurtër për adoleshentët e vendit.
“Ky është një vend shumë i mirë”, thotë ajo, duke bërë me gisht ka sheshi ku janë të ulur, në qoshen e qytetit të ri. “Është mjaft mbresëlënëse që ke mundësi të tilla këtu”.
Aq të mira janë mundësitë dhe aq i lartë është niveli i optimizmit saqë Lituania ka kryesuar në renditjen e Raportit Botëror të Lumturisë për personat nën moshën 30-vjeçarë. Adoleshentët dhe të rinjtë e vendit e kanë vlerësuar veten 7.76 prej 10 në shkallën e lumturisë, shumë më lart sesa Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht në vendin e 32-të dhe 62-të. Ndërsa raporti e ka alarmuar Perëndimin për mirëqenien e rinisë së vendeve, njëzetvjeçarët mund të fillojnë të krijojnë memes dhe video në platformën TikTok, për ta konfirmuar se sa mirë e kalojnë aty.
“Mua në fakt më pëlqen këtu”, thotë shoku i Jurkuvenaites, Gantas Bendikas, gati si duke kërkuar falje. 23-vjeçari është gati të diplomojë pa borxhe dhe, sipas tij, pa frikën nëse do të gjejë punë.
“Po, natyrisht që ka probleme, por ka probleme gjithkund”, thotë ai. “Unë mendoj se shumë të rinj këtu janë mjaft patriotë. Ndjej, të paktën në Vilnius, sikur ne jetojmë jetë të mirë në krahasim me vendet e tjera evropiane”.
Kuptohet, nuk është vendi më emocionues në botë: Jurkuvenaite ankohet se ndonjëherë “mund të jetë pak e mërzitshme” dhe Bendikas thotë se ka dëshirë të vizitojë edhe vende tjera para se të jetojë aty përfundimisht.
Bordi i Turizmit i Vilniusit është i vetëdijshëm dhe e ka quajtur vendin “Pika G e Evropës” sepse “askush nuk e di se ku është”.
Por në krahasim me problemet e zgjedhjeve të përgjithshme, borxhit të përhapur të studentëve dhe krizës së strehimit në Mbretërinë e Bashkuar, duket ide më e mirë zgjedhja e qytetit “të mërzitshëm”.
Pirja e kafesë nën rrezet e diellit dhe ngrënia e një ëmbëlsire që nuk kushton shumë – duket ide shumë më e mirë.
Lituania e Jurkuvenaites dhe Bendikas është mjaft e ndryshme prej asaj ku janë rritur prindërit e tyre. Bruto Prodhimi i Brendshëm i ish-vendit sovjetik për kokë banori është katërfishuar deri më tash. Sektori në rritje i teknologjisë së saj i numëron “unicornët” Vinted dhe Nord Security, kompani miliardëshe, në mesin e eksporteve të veta dhe vitin e kaluar, të ardhurat mesatare bruto të vendit janë rritur për 12.6%. Universiteti është falas dhe 57% e popullsisë kanë të kryer arsimin e lartë, e mesatarja e Bashkimit Evropian është 43%.
Siç e thotë tregtarja 23-vjeçarja, Karolina Motiejūnaitė: “Ne të gjithë jemi lindur në Lituaninë e lirë. Ne nuk dimë tjetër”.
Statusi i ri i Lituanisë si kryeqyteti i të rinjve të botës mund të duket befasuese për njerëzit që veç jetojnë aty, por nuk duket si e tillë për studiuesit e raportit, të cilët i kanë vëzhguar vendet baltike duke u ngritur në renditje që kur kanë filluar t’i mblidhnin të dhënat.
“Pak a shumë gjatë tërë kohës së mbledhjes së të dhënave për Raportin Botëror të Lumturisë ka pasur ngushtim në hendek mes Evropës lindore dhe perëndimore, sa i përket kënaqësisë mesatare për jetën e tyre”, shpjegon John Helliwell, redaktori themelues i studimit vjetor, i cili e mat mirëqenien e 140 kombeve dhe është i koordinuar nga Qendra për Studimet e Mirëqenies së Universitetit të Oksfordit “Gallup” dhe Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm i OKB-së. “Ndërsa është ngushtuar hendeku, tani është momenti kur të rinjtë janë dukshëm më të lumtur sesa gjeneratat më të vjetra të Evropës qendrore dhe lindore”.
Në anën tjetër të qytetit është ish-burgun Lukiškės, burg i vjetër i vitit 1905 që është duke u transformuar në një bashkësi të studiove të artistëve dhe ambiente të koncerteve. Nuk është e vështirë për t’u parë pse. “Kur flas me shokët e mi nga vendet e tjera – Paris, Tokio, Londër – e kuptoj sa me fat jam që kam hapësirën time”, thotë artistja 28-vjeçare, Jolita Vaitkutė, nga studioja e saj në katin e tretë, prej dritareve të së cilës hyn drita dhe e mbush dhomën me jetë.
Në oborrin e mbuluar nga dielli poshtë, njëzet dhe tridhjetvjeçarët me bluza të mëdha, pinë birra mes mureve të rrethuar me tela me gjemba.
“Unë kam vendosur të qëndroj këtu sepse më pëlqen”, thotë ajo. “Nuk kam nevojë të punoj një punë që nuk më pëlqen dhe nuk kam nevojë të punoj nga një zyrë”.
Studiot e ndërtesës, që janë përdorur për ta incizuar sezonin e katërt të serisë së Netflixit, “Stranger Things”, kanë qira prej 100 deri në 500 euro në muaj, sipas Martynas Butkevičius, agjencia e muzikës e së cilës e ka fituar tenderin publik për ta transformuar në ambient kulturor. Qiratë në vend janë kryesisht të lira në krahasim me vendet e tjera evropiane – edhe pse ka pasur rritje për 144% mes viteve 2010 dhe 2022, e dyta më e lartë në BE pas Estonisë.
Bregu i lumit Neris, Vilnius, Lituani
Pavarësisht kësaj, regjisorja e filmit Marija Kavtaradzė, thotë se akoma duket e mundshme ta ndërtosh karrierën që të pëlqen në kryeqytet.
“Do të thosha se çdo person që punon mirë, mund të jetojë mirë këtu”, thotë 33-vjeçarja, e cila është duke e publikuar filmin e saj të dytë, “Slow”. “Normalisht, nëse je kreativ dhe nëse punon në kulturë e jo në ndonjë kompani, do të fitosh më pak para – ky është fakt. Por ekziston ndjenja që mund t’ia dalësh këtu”.
Kavtaradzė ka njohuri për të folur për jetën e rinisë në Lituaninë passovjetike. Filmi i saj i shkurtër i vitit 2014, “I’m Twenty Something”, përfshin në mënyrë të përkryer sprovën torturuese të të pasurit kaq shumë dyer të hapura, duke mos ditur se në cilën prej tyre të kalosh. Është privilegj, thotë ajo, për të cilin gjenerata e prindërve të saj kanë mundur vetëm ta ëndërrojnë.
“Çka na bën neve më unik është se e kemi parë vendit duke u ndryshuar shpejt”, shton ajo. “Në gjeneratën time ne jemi rritur ngjashëm, ekonomikisht – domethënë, nuk kam pasur shokë që kanë qenë të pasur duke u rritur. Prandaj mendoj se kjo, në njëfarë mënyre, na jep neve mendësinë se mund t’i arrijmë të gjitha”.
Në Lituani në këto kohë u mbajtën zgjedhjet presidenciale e po ashtu do të votohet edhe për Parlamentin Evropian.
Agnė Urbontaitytė, 20-vjeçare, e cila është duke pirë një cigare në oborrin e përkryer të Universitetit të Vilnuisit, do të votojë pas ligjëratës së filologjisë lituane.
“Ne jemi të përfshirë mjaft në politikë”, thotë ajo për bashkëmoshatarët e saj. Ajo refuzon të tregojë për kë do të votojë, por thotë se lufta në Ukrainë është në mendjen e secilit.
“Ne nuk jemi aq të lumtur sa mendojnë njerëzit!” bën shaka ajo, para se t’i listojë arsyet pse e “dashuron Lituaninë” – duke e përfshirë hapësirën e gjelbër dhe “njerëzit e ri dhe interesantë” që banojnë në kryeqytet.
Antanas Kairysi, profesor i psikologjisë në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Vilniusit, i citon situatat politike si një nga arsyet kryesore të mirëqenies së të rinjve. “Rinia në Lituani ka shumë mundësi tani”, thotë ai.
“Pas pavarësisë ndryshimi është drastik – si në anën ekonomike ashtu edhe në jetën e përditshme. Unë mendoj se një nga arsyet pse të rinjtë renditen kaq lartë në këtë raport është se ata nuk e kanë përjetuar realitetin e Bashkimit Sovjetik. Ata e njohin atë vetëm nga historitë e prindërve dhe gjyshërve të tyre”.
Lufta në Ukrainë kërcënon ta prishë stabilitetin, për të cilin Lituania ka punuar për ta arritur gjatë 34 vjetëve të fundit. Rinia janë të prekur nga ankthi rreth asaj që do të ndodhë, siç e thotë Motiejūnaitė, “nëse kjo luftë kalon në anën e gabuar”.
“Ne jemi rritur me një frikë brenda nesh se gjithçka e mirë që kemi mund të zhduket brenda sekondës”, thotë ajo. “Duket sikur njerëzit nga vendet e tjera janë duke e harruar se është duke ndodhur lufta në Ukrainë dhe kjo është shqetësuese”.
Lodhja e Ukrainës mund të jetë harruar nga disa vende të Perëndimit, por për lituanët kërcënimi nga Rusia është akoma i madh. Siç thotë fotografi 30-vjeçar, Karolis Pilypas, i rritur në Vilnius: “Një ditë je në shtëpi duke e shikuar serinë ‘Love Is Blind’ dhe tjetrën qeveria të thotë të bëhesh gati pasi është situatë emergjente”.
Ministria e Brendshme e Lituanisë dhe Departamenti i krizave e ka nisur një fushatë shkurtin e kaluar, duke i këshilluar qytetarët se çfarë të paketojnë në rast fatkeqësie.
“Ankthi është gati gjithandej”, thotë Kavtaradzė.
Ekziston edhe enigma e shkallës së vetëvrasjeve në vend – e cila ka qenë më e larta në BE në vitin 2020, me 21.3 vdekje në 100 banorë.
“Për më të vjetrit, shëndeti mental është akoma temë tabu”, thotë 19-vjeçarja Cinny, studente më Fakultetin e Filozofisë. “Nëna ime, për shembull, akoma nuk beson se shëndeti mental është problem në Lituani”.
Kairysi e quan “hangover” sovjetik: “Ka më pak stigmë për shëndetin mental te të rinjtë, por kjo stigmë vërehet akoma te gjeneratat e vjetra. Mendoj se është e lidhur me realitetin e Bashkimit Sovjetik, ku shërbimet e shëndetit mental janë përdorur për çështje politike – për t’i arrestuar kundërshtarët politikë, për shembull”.
Nëse Lituania është vendi më i lumtur në botë për të rinjtë, atëherë duket se parku i patinazhit i Urës së Bardhë, në brigjet e lumit Neris, është vendi më i lumtur në Lituani. Siç thotë prindi i një fëmije të vogël atje: “Nëse të rinjtë me të cilët flisni këtu nuk janë të lumtur, atëherë askush nuk është”.
Adoleshentët dhe të rinjtë në të njëzetat që rreziten pranë fushave të volejbollit janë të lumtur të raportojnë se janë mjaft të kënaqur.
“Do e rendisja jetën e natës si më të mirën në Evropë”, thotë 21-vjeçari Daniil Švager, student i inxhinierisë softuerike.
Ai thotë, gjithsesi, se dëshiron ta ketë një shtëpi vere në një vend të largët, për t’iu larguar dimrave të acartë të Lituanisë. Si shumë njerëz të tjerë, ai dhe shoku i tij Rokas Astrauskas kanë menduar se Raporti i Lumturisë ka qenë shaka kur ka dalë. Prapëseprapë ata thonë se janë të lumtur me jetët e tyre – sidomos tani meqë mbrëmjet po bëhen më të gjata dhe ata mund të luajnë volejboll gjashtë herë në javë.
Në bregun e lumit, duke ecur drejt një lokali me oborr, Pilypasi vë në dukje gozhdët e zhveshura që dalin nga shtyllat e llambave të urës. Statujat e epokës sovjetike të montuara mbi to janë rrëzuar kohëve të fundit, thotë ai. Ai tregon me gisht drejt spitalit ku është lindur, i cili tashmë është duke u transformuar në një shkollë të shtrenjtë ndërkombëtare. Sa i përket gjelbërimit të madh të qytetit, ai ngreh supet dhe thotë: “Dikur ka qenë akoma më i gjelbër”.
Më shumë se tri dekada nga pavarësia, Lituania është duke u ndryshuar dhe po e ndryshon edhe rininë e saj.
Ndërsa perëndon dielli, qielli duket si pikturë rozë dhe kaltër, bisedat nga dritaret e hapura të lokaleve dëgjohen jashtë në oborr ose në rrugë. Biseda e ka energjinë që një natë e mirë është duke filluar.
Punonjësi 29-vjeçar i IT-së, Lukas Saženis, po pi një birrë me disa kolegë të tij në oborr. A është ai personi më i lumtur në botë? “Ndoshta jo më i lumturi, por mendoj se jam mjaft i lumtur”, thotë ai. “Ndihem sikur jemi duke punuar drejt diçkaje. Nuk jemi duke u stagnuar. Është e lehtë ta shohësh se sa mirë e kemi ne”.