Buli Selmani është berber nga Kosova. Punon në Bad Tölz në alpet e Bavarisë gjermane, afër kufirit me Austrinë. Gjatë muajit shkurt ai ditëve të martë dhe të mërkurë i qeth dhe i rruan falas klientët, të cilët janë të varfër dhe nuk kanë mundësi të paguajnë berberin. Selmani i tha gazetës “Süddeutsche Zeitung” se nuk i verifikon njerëzit nëse vërtet janë të varfër kur vijnë për t’u qethur e rruar falë në bernerhanën e tij. Selmani thotë se nuk dëshiron t’i poshtërojë njerëzit, por t’ua rrisë vetëbesimin – edhe duke u dukur më mirë.
Buli Selmani jeton në Bavari që nga vitet 90-të; atëherë ai erdhi te i ati i tij, i cili punonte prej kohësh në fshatin Lenggries afër Bad Tölz. Buli Selmani fillimisht punoi si teknik i mjekësisië, mandej hapi një dyqan mode.
Para tetë vitesh, Selmani hapi berberhanen “Lion’s Barbershop”; ndërkohë ai ka disa filiale dhe gjithashtu një kompani pastrimi. Me aksionin për njerëzit në nevojë, „dëshiroj t’i kthej diçka shoqërisë“, thotë ai për “Süddeutsche Zeitung”.
Berberhanen me karriget e zeza, lavamanët e bardhë, divanin e kuq dhe tabelat e posterat e shumtë, e vizitojnë kryesisht gjermanët. Vetëm 30 për qind e klientëve të tij janë me origjinë turke, rumune, kroate apo italiane, thotë Selmani. Dyqani i tij është një lloj seizografi i situatës sociale në vend. Jeta është bërë më e vështirë për të gjithë krahasuar me më parë, tregon ai: „Shumë njerëz ankohen se çdo gjë është shtrenjtuar shumë – artikujt, qiraja – ndërsa pagat kanë mbetur të njëjta“.
Një rastësi: në fshatin Lenggries, ku punonte i ati i Buli Selmanit, ka jetuar poeti dhe gjuhëtari i madh shqiptar, Martin Camaj. Lenggries ndodhet vetëm rreth 10 kilometra larg Bad Tölz. Camaj vdiq më 1992; ishte profesor i Albanologjisë në Universitetin e Münchenit (LMU), por zgjodhi qetësinë e Alpeve në Lenggries për të jetuar dhe për të shkruar veprat e tij. Martin Camaj është i varrosur në varrezat e fshatit Lenggries.

