Protestuesit djegin zyrën e Ministrisë së Brendshme në Afrikën e Jugut

1 Min. Leximi

Protestuesit në rajonin Gauteng të Afrikës së Jugut i vunë flakën një ndërtese zyrash të Ministrisë së Punëve të Brendshme, transmeton Anadolu.

Sipas lajmeve të mediave kombëtare, një përleshje u shënua midis forcave të sigurisë dhe banorëve në Germiston, në lindje të Johanesburgut, të cilët po dëboheshin nga banesat komunale për mospagesë të qirasë.

- Advertisement -

Turma, e cila protestoi duke ngritur barrikada në qendër të qytetit, sulmoi policinë me gurë. Policia ndërhyri me plumba gome ndërsa protestuesit i vunë flakën një blloku apartamentesh komunale dhe ndërtesës së zyrave me dy kate ngjitur të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

- Advertisement -

Zëdhënësi i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Ekurhulenit, William Ntladi tha se zjarri dëmtoi rëndë ndërtesën, por nuk pati viktima.

Ministri i Punëve të Brendshme, Leon Schreiber deklaroi në mediat sociale se do të nisnin procedura penale kundër zjarrvënësve, duke thënë: “Ky nuk është gjë tjetër veçse një sulm ndaj infrastrukturës sonë sociale dhe ne nuk mund të kemi durim ndaj kësaj”.

Kryebashkiaku i Ekurhulenit, Nkosindiphile Xhakaza tha se ata nuk do të tërhiqen nga dëbimi i qiramarrësve që “pushtojnë ilegalisht” banesat komunale.

Policia njoftoi se në lidhje me incidentin janë arrestuar dy persona.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull