Prokuroria Speciale nis hetimet për ekspozitën e Shkëlzen Gashit, elozhe librit të tij i kishte thurr edhe UT-ja

5 Min. Leximi

Prokuroria Speciale e Kosovës ka deklaruar se Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” do t’i nënshtrohet vlerësimit për t’u përcaktuar nëse përmban elemente penale.

Në një komunikatë për media, Prokuroria ka thënë se Departamenti i tyre për Hetimin e Krimeve të Luftës “është duke përcjellë me vëmendje informacionet publikuara lidhur me ekspozitën ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, e cila ishte vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë”.

Ekspozita e quajtur sikurse libri “Masakrat në Kosovës 1998-1999” me autor Shkelzen Gashin, ish-këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ekspozuar në Sheshin “Nënë Tereza” u shqua për mungesë faktesh, keqinterpretime dhe shtyrje të narratives serbe për Luftën e Kosovës.

Komuna e Prishtinës revokoi lejen për ekspozitë, teksa sot, më 28 mars, Kompania Publike “Pastrimi” largoi materialet nga sheshi e Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, që si sponsor i kësaj ekspozite, të japë përgjegjësi politike dhe institucionale.

I ndodhur nën kritika për falsifikim të së vërtetës dhe fshehje të krimeve serbe, Shkëlzen Gashi ka përsëritur sot se përshkrimi i masakrës në Burgun e Dubravës mbështetet në të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare, duke insistuar në kategorizimin e një pjese të viktimave si “të armatosur”, ani pse këta të fundit e përgënjeshtruan.

Reagimi dytë i Gashit erdhi pas mohimeve që bëri <span;>Fondi për të Drejtën Humanitare i Natasha Kandiç. Ky Fond ka kritikuar mënyrën se si janë paraqitur krimet në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999” dhe thotë se nuk janë të dhënat e tyre.  Në komunikatën e këtij fondi thuhet se shumë nga të dhënat nuk përputhen me faktet e vërtetuara në gjykatë dhe tregojnë një mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Komunikata për media sqaron se “në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë ‘persona të armatosur’, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë… Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës”. Aty thuhet edhe se gabime të ngjashme janë bërë edhe për rastin e Mejës, ku viktimat ishin të paarmatosur dhe nën kontroll të forcave serbe në momentin e vrasjes.

Të pavërteta në libër janë konstatuar edhe në betejën e Prekazit në familjen e Komandatit Adem Jashari. Në libër, Shkëlzen Gashi ka ndarë civilët të armatosurit, ndërsa mohon rezistencën familjare, duke i ndarë “tre-katër që kanë rezistuar”.

Kur doli vitin e kaluar, libri kishte marrë jehonë gjithandej në Kosovë, madje edhe në Maqedoni, duke u konsideruar si “dosje me të dhëna të sakt që identifikon krimet serbe”.

Madje, elozhe për librin e Gashit “Masakrat në Kosovë 1998-1999” vitin e kaluar kishte thurrur edhe ish-rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti. Ameti dhe UT kishin organizuar promovimin e librit në Tetovë, ndërsa ishte theksuar se “’Masakrat në Kosovë 1998-1999′ nuk është një botim që jep konture, por përmbajtje, dokument, fakt dhe vërtetësi”.

“Në faqet e tij nuk ka mjegullnajë por dritë mbi krimet, mbi dhimbjen dhe mbi realitetin që s’mund të fshihet as me heshtje dhe as me harresë. Shkëlzeni, me këtë vepër, na ka nxjerrë të gjithëve nga rendi konform i përditshmërisë, për të na shkundur nga letargjia morale e shpirtërore. Ky libër është një akt guximi intelektual dhe moral, një kujtesë që flet përmes dokumenteve, por që prek shpirtin përmes humanizmit”, ka thënë ish-rektori Ameti, ndërsa kishte falënderuar Shkëlzen Gashin që, siç ishte shprehu Ameti, “zgjodhe ta promovosh librin tënd dhe të vërtetën tonë, në Tetovën që ka qenë gjithmonë zemra e hapur e Kosovës dhe e kosovarëve”.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull