Erërat e forta që kanë filluar qysh mbrëmë, kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kryeqytet.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica ka thënë se prej mbrëmë janë mbi 12 raste që kanë intervenuar.
“Prej mbrëmë janë mbi 12 raste që kemi intervenuar në pothuajse të gjitha pjesët e qytetit duke filluar nga lagjja Arbëria, Rrugën B, Bregun e Diellit, Dardani, etj.,”, ka thënë ai për Telegrafin.
Ai ka shtuar se në fshatin Prugoc të Prishtinës dëmet janë më të mëdha, derisa ka theksuar se fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Fushtica ka apeluar që qytetarët të kenë kujdes të shtuar dhe të evitojnë daljet sidomos rreth parqeve për shkak të rrezikut nga rënia e degëve.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, ka izoluar edhe zonën rreth objektit të Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të parandaluar ndonjë fatkeqësi të mundshme nga erërat e forta të paralajmëruar nga 20 deri në 80 km/h të cilat do të sjellin edhe dëme materiale.