Presidenti i Algjerisë: Nuk do të heqim dorë kurrë nga kauza palestineze

2 Min. Leximi

Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, njoftoi se vendi i tij nuk do të heqë dorë kurrë nga kauza palestineze dhe se Algjeria është e gatshme që të ndërtojë 3 spitale fushore për 20 ditë në Rripin e Gazës në rast se hapet pika kufitare Rafah, transmeton Anadolu.

Presidenti Tebboune, i cili është sërish kandidat në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Algjeri më 7 shtator, u takua me mbështetësit e tij në programin e zhvilluar në qytetin Constantine në verilindje të vendit.

- Advertisement -

“Ne nuk do të heqim dorë nga kauza palestineze dhe veçanërisht nga Rripi i Gazës. Nëse na hapin kufirin mes Egjiptit dhe Gazës, ne kemi çfarë të bëjmë. Ushtria jonë është gati. Sapo të hapet kufiri (Pika Rafah), do të ndërtojmë 3 spitale brenda 20 ditëve”, tha Tebboune.

Duke tërhequr vëmendjen për gjenocidin dhe shkatërrimin e kryer nga Izraeli në Rripin e Gazës, Tebboune u shpreh: “Ne do të dërgojmë qindra mjekë. Ne do të rindërtojmë atë që u shkatërrua nga Sionistët (Izraeli)”.

Duke vënë theksin se kauza palestineze nuk i përket vetëm palestinezëve, por edhe algjerianëve, Tebboune theksoi: “Palestina dhe Algjeria janë larg njëra-tjetrës për sa i përket distancës, por të afërta në zemër. Edhe pse ishim nën sundimin kolonial gjatë periudhës së Nakbes (1948), ne luftuam kundër sionistëve dhe pësuam dëshmorë”.

Pasi tërhoqi vëmendjen se lufta e Izraelit në Rripin e Gazës nuk është një luftë e civilizuar dhe se ai ka kryer një masakër të tmerrshme, Tebboune deklaroi se “Ata synojnë të shkatërrojnë kauzën palestineze duke shkatërruar palestinezët. Por ne kurrë nuk do ta pranojmë këtë”.

- Advertisement -

Gjykata Kushtetuese e Algjerisë njoftoi më 1 gusht se kandidaturat e kandidatit të pavarur Abdelmadjid Tebboune, Youcef Aouchiche nga Lëvizja e Forcave Socialiste (FFS) dhe Abdelaali Hassani Cherif nga Lëvizja për Shoqërinë e Paqes (MSP) u finalizuan për zgjedhjet që do të mbahen më 7 shtator.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull