Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka mbërritur në Tiranë ku po merr pjesë në Samitin e Gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, raporton Anadolu.
Erdoğan u prit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Në një deklaratë, presidenti turk u shpreh: “Presim shumë gjëra, së bashku me vëllaun tim (Edi Rama). Nga Shqipëria do ta ngremë zërin për paqe për gjithë botën”.
Në Shqipëri ka filluar Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Evropian me moton “Evropa e re në një botë të re”, duke mbledhur së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore ndërkombëtare.
Në samit marrin pjesë liderët e vendeve anëtarë të BE-së, vendeve të rajonit, si të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe vendeve të tjera evropiane, si dhe udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe përfaqësues të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.
Diskutimet do të zhvillohen në disa sesione tematike të nivelit të lartë, ku do të përqendrohen në sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike, dinamikat komplekse të emigrimit dhe lufta Rusi-Ukrainë.
Në përfundim të punimeve të samitit do të mbahet një konferencë për media nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, vendi i së cilës do të presë vitin e ardhshëm Samitin e Komunitetit Politik Evropian.