Ndryshimet e Kodit Penal në Maqedoninë e Veriut, të cilat shpëtuan apo zbutën dënimet për funksionarët e korruptuar vazhdojnë të prodhojnë efektet negative në sistemin juridik të vendit, por edhe kritika të ashpra nga faktori i brendshëm dhe ndërkombëtar. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga para katër muajve paralajmëroi prezantimin e ndryshimeve, por deri sot nuk e ka bërë. Miratimi i tyre në shtator të vitit 2023, pa debat paraprak publik dhe pa transparencë, e thelloi edhe më tepër mosbesimin e qytetarëve në institucione, sidomos në sektorin e gjyqësorit, i cili edhe ashtu është në fund të listës, shkruan Portalb.mk.
Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, në mes të tetorit të vitit 2023 paralajmëroi se për një javë bashkë me grupin e punës, do t’i prezantojë ndryshimet e Kodit Penal, por ky prezantim ende nuk është bërë.
Nga Ministria e Drejtësisë, shkurt për Portalb.mk thanë se “në periudhën në vijim do të bëhet prezantimi”, duke mos precizuar datën.
Ministri Lloga disa herë është shprehur në publik se është kundër kundër ndryshimeve në Kodin Penal, në të cilat parashikohet, mes të tjerash, ulja e dënimit për ata funksionarë shtetërorë të cilët janë përfshirë në shpërdorimin e fondeve publike. Arsyetimi i tij ishte se se zëvendësja e tij, duke shfrytëzuar në mungesë të tij, i ka propozuar ndryshimet, të cilat morën miratimin e qeverisë, iu dorëzuan Kuvendit dhe deputetët i dhanë mbështetje. Deputetët e ASH-së, pjesë e së cilës është Lloga, gjatë seancës, nuk kanë votuar “për” ndryshimet e Kodit Penal, por nuk kanë votuar as “kundër”.
Por, megjithatë, ndryshimet ligjore kanë hyrë në fuqi, pavarësisht kritikave dhe debateve të ashpra.
Kritika së fundi pati nga Transparency International, e cila e publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Ndryshimet në Kodin Penal përmenden si paralajmërimi kryesor i përparimit të dobët të vendit në luftën kundër korrupsionit. Por janë edhe shkak për shqetësim, por edhe “emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve me motive politike”.
“Sapo filluan të shfaqen disa shenja të vogla progresi, sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut (42) u “çrregullua” ndjeshëm nga ndryshimet jodemokratike të bëra në Kodin Penal”, thuhet në raport.
Mungesa e debatit efektiv para miratimit të ndryshimeve të fundit të Kodit Penal, gjithashtu ishte një nga rrethanat që e kanë befasuar Bashkimin Evropian. Këtë e tha eurokomisari për Drejtësi, Didie Rejndres, i cili paralajmëroi se Komisioni Evropian, shqetësimin e tij për mënyrën me të cilën janë miratuar dhe qëndrimin rreth vetë ndryshimeve do t’ia kumtojë vendit në takim bilateral.
“Këtu ka dy-tre elemente. Fillimisht ishim të befasuar nga mungesa e debatit efektiv dhe konsultimet për reformën e tillë. Gjatë miratimit të ndryshimit, çdoherë them se është e rëndësishme të këmbehen qëndrime me KE-në para miratimit të llojit të tillë të legjislacionit. Siç thash, me disa vende gjithsesi se duhet të jemi të përmbajtur, të evitohet miratimit i ligjeve me flamur evropian me procedurë të përshpejtuar”, deklaroi Rejndres, më 27 tetor.
Euroambasadori David Geer, gjithahstu ka shprehur shqetësimin e Komisionit Evropian në raport me ndryshimet e Kodit Penal.
“Mendoj se, qëndrimi i KE-së është shumë i qartë. Qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar. Kuptohet, nga ana jonë ne mundemi të themi se, i ndjekim nga afër të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me gjyqësorin, kuptohet edhe të gjitha ndryshimet apo pasojat që dalin nga ndryshimet e Kodit Penal”, tha Geer më 18 tetor.
Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski. Të njëjtat u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.
Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.
Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.