Ka filluar procesi i çmontimit të radarit të vjetër dhe të papërdorshëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit si dhe përgatitjet për instalimin e radarit të ri modern ‘Mode S”. M-NAV informoi se kjo procedurë nuk do të ketë asnjë ndikim në funksionimin e trafikut ajror, transmeton Portalb.mk.
Procesi i çmontimit vjen pas takimit të mbajtur më 1 dhjetor 2025 me ekipin e kompanisë ‘Leonardo’ dhe nënkontraktorët e angazhuar vendas.
M-NAV njoftoi se kjo fazë është një hap thelbësor në kuadër të projektit të madh për modernizimin e sistemeve të mbikëqyrjes së trafikut ajror në vend.
Pas përfundimit të çmontimit, do të pasojnë aktivitetet ndërtimore për instalimin e strukturës së re, e më pas instalimi i radarit të ri ‘Mode S’.
“Radari i ri do të përmirësojë ndjeshëm sigurinë dhe efikasitetin e menaxhimit të trafikut ajror”, informoi M-NAV.
Sipas dinamikës së planifikuar, lançimi i plotë i radarit të ri në përdorim operacional pritet në qershor të vitit 2026.

