Nxënësit e Shkollës Fillore Komunale “Naim Frashëri“ në Tetovës vitin e ri shkollor do t`a fillojnë me kushte më të mira për mësim. Në këtë shkollë janë realizuar një sërë punimesh me qëllim përmirësimin e kushteve dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për nxënësit
Urim HASIPI
Tetovë, 19 gusht – Gjatë pushimit veror, janë bërë një sërë investime për të përmirësuar kushtet për nxënësit e Shkollës Fillore Komunale “Naim Frashëri“ në Tetovës. Me këtë rast, pishina e kësaj shkolle është në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe pritet të lëshohet në përdorim së shpejti. Kështu kanë bërë të ditur nga Komuna e Tetovës, respektivisht Sektori për Arsim. Sipas drejtuesit të këtij sektori Validin Ademi pishina do të jetë në shërbim jo vetëm të nxënësve por edhe banorëve. “Pishina në shkollën fillore është në fazën përfundimtare. Së shpejti ajo do të jetë në shërbim të nxënësve, mësimdhënësve, banorëve të lagjes dhe pse jo edhe banorëve të qytetit të Tetovës, duke krijuar mundësi të reja për aktivitete sportive, rekreative dhe zhvillim të shëndetshëm fizik”, thotë udhëheqësi i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës Validin Ademi.
Krahas kësaj, investime janë bërë edhe objektin shkollor për të mundësuar një ambienti më të sigurt, më funksional dhe më të përshtatshëm për nxënësit. “Në prag të rikthimit të nxënësve në bankat shkollore, janë realizuar një sërë punimesh me qëllim përmirësimin e kushteve dhe krijimin e një ambienti më të sigurt, më funksional dhe më të përshtatshëm për nxënësit dhe stafin e shkollës. Janë realizuar intervenime në disa klasa, është lyer njëra anë e murit në pjesën e fushës sportive, ndërsa parkingu i shkollës është rregulluar dhe pajisur me sinjalistikë të re, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit të hapësirave të shkollës”, njofton Ademi. Sipas tij, investimi në shkolla është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë. “Me punë, përkushtim dhe investime të vazhdueshme, po krijojmë ambiente ku çdo nxënës mund të mësojë, të zhvillohet dhe të ndihet i sigurt dhe i mirëpritur”, thekson Ademi.
Ai ka bërë të ditur se investime janë realizuar edhe në shkollat tjera fillore, kryesisht në lyerjen e klasave, ndërsa në disa të tjera janë vendosur pllaka të reja. “Në shkollën fillore ‘Bratstvo-Migjeni’ janë realizuar një sërë punimesh me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit. Është realizuar lyerja e objektit të shkollës. Janë përgatitur kabinete të reja të informatikës. Janë krijuar klasa për mësim gjithëditor. Në objektin ku zhvillojnë mësimin paralelet në gjuhën maqedonase, po realizohen punimet e lyerjes dhe fasadimit të objektit”, bëjnë të ditur nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.
Zakonisht, gjatë pushimeve verore, realizohen punime pothuajse në të gjitha shkollat fillore, sidomos në ato shkolla që janë më të vjetra të cilët kanë nevojë për lyerje dhe ndërrim të dyshemeve. (koha.mk)

