Duhet të themi se mëhalla ishte më tepër një njësi sociale dhe ambient solidariteti sesa një njësi administrative. Për këtë gjë, le të shohim pak përshkrimin e “mëhallës Estekzade” nga ana e Erxhymend Ekremit, një prej penave të fuqishme të letërsisë turke, në romanin e tij të titulluar “Gjak dhe Besim” (Kan ve İman): Mëhalla Estekzade është një lagje e izoluar e Stambollit, e cila i ka shpëtuar shkatërrimit të dy fatkeqësive të tmerrshme siç janë zjarri dhe pushtimi. Prandaj, ajo u duket shumë miqësore atyre që shkojnë e vijnë prej andej. Ajo është e pastër, e këndshme dhe e qetë. Atje nuk shihni as ndërtesa të mëdha, as xhade të gjera dhe as gra të zbukuruara. Të gjitha shtëpitë janë prej druri dhe të vjetra, sokakët janë të ngushtë por të pastër. Kjo pastërti ndihet kudo.


Në kalldrëmet e mëdha të paprekura nga fshesa e bashkisë, tek fëmijët e veshur me basmë që luajnë përpara dyerve të shtëpive, tek macet që kalojnë nga një anë në anën tjetër me hapa të kujdesshëm, në perdet e bardha prej pambuku të penxhereve të shtëpive, në dyqanin e bakallit me çallmë të bardhë në të verdhë, të esnafit që tregton erëza i cili mban në kokë një kapele me vulë në mes, të kafexhiut me shpatulla në formë trekëndëshi si dhe në veshjet e grave të cilat takohen shumë rrallë nëpër sokakë, pastërtia dhe dëlirësia e ambientit të cilit nuk i është dëmtuar fisnikëria është e dukshme. Mëhalla Estekzade është e bukur; mbasi ke ecur një farë mase mbas lagjes Fatih dhe mbasi ke shkuar drejt xhamisë së Sulltan Selimit duke kaluar rrugë dredha-dredha, pjesa e sipërme e një të përpjete që kthehet djathtas është pikënisja e kufirit të kësaj mëhalle.
Që nga këtu, gjenden shtëpi të gjitha pak a shumë me bahçe, me ballkone të dala, shumica e të cilave të palyera me bojë, disa prej tyre vetëm sa janë spërkatur me bojë, të vjetra por të pastra, të ulëta por të këndshme; një kafene me çardak, një ose dy dyqane; një xhami e këndshme me minare të shkurtër; pranë saj një shkollë fillore dhe së fundmi dy perimore. Para se të shkosh tek perimoret në pjesën e përparme që shikon nga rruga e një varreze të vogël në formë rrethore dhe të braktisur, gjendet një varr me një çallmë të madhe në ngjyrë jeshile, të mbështjellë disa herë rreh vetes. Këtu prehet një person i panjohur, prej shokëve të luftës së Sulltan Fatihut. Banorët e mëhallës e konsiderojnë atë një evlija sipas një thënieje të transmetuar prej të parëve të tyre. Në fakt nuk është parë ndonjë mrekulli e tij. Mirëpo për t’u konsideruar evlija është e mjaftueshme që të kesh luftuar kundër jobesimtarëve së bashku me Sulltan Fatihun. Në të njëjtën kohë, sipas të gjithë banorëve, mosrënia e zjarrit në mëhallë ka të bëjë me prehjen e atij personi atje. Të gjithë e respektojnë shumë atë njeri. Kur roja e mëhallës kalon nga varrezat, nuk harron t’i lexojë atij një Fatiha.
Për të mbrojtur këtë ndershmëri dhe besim të mëhallave, tek të gjithë banorët e mëhallës Estekzade, që nga më i madhi e deri tek më i vogli, ka një aleancë midis njëri-tjetrit, gjoja e mjaftueshme por që në fakt është diçka shumë e madhe. Ata janë shumë të ndjeshëm në çështjet si shitja apo dhënia me qira e shtëpive, bile ata nuk i afrojnë jomuslimanët në lagjet e tyre. Këtu nuk ka arritur të futet as bakalli nga Karamani, që është pararojë dhe hileqar në çdo gjë/ Marrë nga “Kan ve İman, İkbal Kitabevi, İstanbul 1341-1925” pjesa hyrëse.