Sot në ora 12:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
LDK, PDK dhe AAK, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të votojnë raportin e verifikimit të kuorumit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Dje presidentja Vjosa Osmani në përgjigjen institucionale ndaj letrës së djeshme konstituive për institucionet e reja të vendit, ka theksuar se deputetët duhet të themelojnë dhe jo të bllokojnë. proceset.
Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë deklarohen të pafajshëm – përjashtohet nga salla një polic hetues
Dërgohen në Gjykatë tre të akuzuarit për sulmin në Banjskë, nis seanca
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të martën votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare.
Gjatë ditës së djeshme Kryeministri në detyrë, Albin Kurti thirri mbledhje të Qeverisë. Ai tha se ka dhënë dorëheqje dhe “më shumë se kaq nuk mund të bëjë”. Kurti ka thënë se thirrjet e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për të mos shkuar në zyrë të kryeministrit janë “thirrje për pezullim të shtetit”.
Ai ka përmendur ka përmendur rastet nga e kaluara, kur siç ka thënë ai Qeveri të udhëhequra nga PDK, LDK, e AAK kanë vazhduar të ushtrojnë funksionin e tyre deri në formimin e qeverisë së re.
“Si parti fituese jemi të interesuar që të ecim drejt formimit të institucioneve së më parë, si qeveri në detyrë jemi shumë të përgjegjshëm dhe të vëmendshëm që të mos lejojmë vakum institucional, jo për një ditë, orë, por as për një minutë të vetëm. Përkundër thirrjeve të papërgjegjshme të partive opozitare dje për pezullim të shtetit, shteti funksion prej arrestimit të kriminelëve serbë, te digjitalizimi i arkave fiskale e publikimi në Shkodër i projektit hekurudhor. Funksionon edhe sot shteti me vendimet qe kemi para vetes”, tha Kurti dje.
E kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se sot sërish do të kërkojnë “dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë”, duke aluduar për Albin Kurtin dhe ministrat, shkruan Reporteri.net.
“Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë”, ka shkruar Abdixhiku ndër të tjera.
Njëjtë, ka thënë dje edhe Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku se “asgjë nuk ka ndryshuar” sa i përket kërkesës për dorëheqjen e qeveritarëve, duke konfirmuar se këtë do ta kërkojnë edhe sot.
Një polemikë rreth çështjes së dorëheqjeve e kanë pasur edhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit më detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili dje tha se opozita po kërkon “braktisje të institucioneve”, dhe jo dorëheqje të ministrave.
Ajo e ka quajtur manipulim deklaratën e Muratit, duke theksuar se opozita po kërkon zbatimin e ligjit që, sipas saj, është hartuar dhe miratuar nga vetë Qeveria Kurti.
“Hekuran, mos i manipulo faktet! Paske thënë se: ‘opozita po kërkon që ju me braktisë Qeverinë’. E para: jo opozita, sepse për me qenë tjerët opozitë, ti Hekurani dhe Albini duhet me pasë shumicën – e dje u pa që ende s’keni shumicë”, shkroi Bajrami.
Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar të martën, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët./Reporteri.net/