Përçarja e parë e BDI-së me Selën – Struga ‘mollë sherri’

3 Min. Leximi

Fronti Evropian po përjeton krizën para-zgjedhore për Strugën. Brenda koalicionit ku më një këmbë brenda dhe me një këmbë jashtë po qëndron Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe prapa derës po pret Arben Taravari, kreu i integristëve si duket e ka të vështirë të menaxhon betejën për kandidat në Strugë.

Në garë janë emrat si: Faton Pollozhani, ndryshe për strukturën e Strugës i njohur si “sateliti i dërguar nga Reçica”. Mbase mbështetjen e degës jo, por Pollozhani mësohet të ketë mbështetjen e një pjesë të madhe të udhëheqësisë së BDI-së.

- Advertisement -

Nga loja nuk heq dorë as kryetari aktual, Ramiz Merko ndaj të cilit udhëhiqen disa procese gjyqësore, për njërin prej tyre mund të dënohet ditën e premte, ndërsa ndodhet edhe në listën e zezë të SHBA-ve. Merko sipas burimeve brenda degës së BDI-së në Strugë, ka rrahur gjoks para organeve partiake se posedon rreth 2 mijë vota në grusht dhe mund të tregton me cilin do opsion politik.

Ambicie ka shprehur edhe ish i besuari i tij, Jeton Shaqiri, njeriu që gjatë kohës sa ishte ministër i Arsimit akreditoi programet studimore në Universitetin Ndërkombëtarë të Strugës. Shaqiri sipas burimeve të njëjta kërkon mbështetjen për kandidat duke u thirr në fitoren që Fronti Evropian korri në zgjedhjet parlamentare në Njësinë Zgjedhore 5 ku Shaqiri dhe ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ishin koordinator zgjedhor.

Gjysma e nëndegëve të BDI-së në Strugë, sipas informacioneve të Alsat përkrahin një kandidat tjetër, Dashmir Nasufin, njeri i afërt me Merkon dhe ish ligjërues në Universitetin Ndërkombëtarë të Strugës. Javën e kaluar kishte informacione se përmes një letre publike, nëndegët do të shprehin mbështetjen për kandidatin e tyre të preferuar por një gjë e tillë nuk u realizua. Dyshohet se një pjesë e krerëve të nëndegëve kanë pasur presione.

Në fund, por jo më pak i rëndësishëm se kandidatët e tjerë mbetet kreu i ASH-së, Ziadin Sela. Jo zyrtarisht, Selës i është ofruar mbështetja e BDI-së nëse ai kandidon për Strugën, por jo të nxjerrë kandidat tjetër. Kjo duket se nuk i ka pëlqyer kreu të ASH-së, i cili javë më parë tha shkurt e shqip se pa Strugën si komunë për të cilën garon ASH-ja, nuk ka Front Evropian.

- Advertisement -

Nuk dihet nëse në rend për të shprehur ambiciet e tij si subjekt dhe për të kërkuar mbështetje ka ardhur edhe Taravari. Eksponentë të këtij subjekti kanë potencuar tashmë disa herë se për Strugën, Taravari ka një kandidat por emri i tij nuk është bërë i ditur me arsyetimin se po bëhen anketa të brendshme. Jo zyrtarisht, emri më i lakuar ishte ai i Garib Kabës. /Alsat

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull