Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) do ti përzgjedhë me short shikuesit për ndeshjen Shqipëri – Serbi.
FSHF-ja të hënën ka dalë me sqarim pse vendosi t’i përzgjedhë shikuesit përmes shorit.
Sipas FSHF-së interesimi i madh për të parë nga afër ndeshjen Shqipëri – Serbi i ka shtyrë përgjegjësit të marrin vendim që biletat të ndahen nëpërmjet “shortit kompjuterik”.
Është hera e parë që aplikohet një formë e tillë e përzgjedhjes së shikuesve. Por në FSHF kanë insistuar se është rruga e vetme për t’i respektuar të gjithë aplikuesit.
Ndeshja Shqipëri – Serbi luhet më 7 qershor ndërsa i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
“Duke qenë se kërkesat pritet të tejkalojnë kapacitetin e stadiumit, FSHF-ja bën me dije se nuk do të ketë shitje të menjëhershme të biletave, por do të ndiqet procedura. Tifozët do të kenë mundësinë të plotësojnë një formular aplikimi elektronik, për të shprehur interesin e tyre për të siguruar bileta. Ky formular do të publikohet nga FSHF-ja më 15 maj. Çdo aplikant mund të kërkojë deri në 4 bileta. Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, do të kryhet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike përmes shortit kompjuterik të aplikantëve, të cilët do të kenë më pas mundësinë për të blerë biletat. Të përzgjedhurit do të njoftohen disa ditë para ndeshjes nëpërmjet adresës së tyre elektronike. FSHF-ja thekson se bileta mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme”, shkruan në njoftimin e Federatës Shqiptare.
Një pjesë e stadiumit në Tiranë nuk do të jetë e mbushur me tifozë apo shikues të zakonshëm. FSHF-ja u gjobit me 20 mijë franga dhe mbylljen e të paktën 20 për qind të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në garat e FIFA-s.
Ky dënim FSHF-së iu dha për sjellje diskriminuese të tifozëve të Shqipërisë në ndeshjen ndaj Andorrës. Ajo ndeshje ishte zhvilluar më 24 mars. Dënimi iu dha Shqipërisë për fyerje ndaj serbëve.
Shqipëria fitoi 3:0 ndaj Andorrës në Tiranë. Më 21 mars kishte pësuar 2:0 nga Anglia në “Wembley”.
Kishte reagime të shumta pas dënimit nga FIFA. Më të zëshmit ishin Tifozat Kuq e Zi, të cilët e kishin vlerësuar “turp” faktin se 20 për qind e stadiumit nuk do të jetë e mbushur me shikues të zakonshëm. Për dënimin e FIFA-s, TKZ kishte fajësuar federatën shqiptare.
Priten të tjera reagime pas njoftimit të FSHF-së për mënyrën ndarjes së biletave për ndeshjen ndaj Serbisë. Ndeshja vlerësohet vendimtare për gjasat e kuqezinjve që të renditen në pozitën e dytë në grup.