Të dielën dështoi për herë të shtatë tentativa për konstituimin e Kuvendit. Propozimi i Vetëvendosjes për zgjedhjen e Kryeparlamentarit as sot nuk mori votat e mjaftueshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ani pse ishte kërkuar që të ndryshohej kandidati, VV-ja edhe sot propozoi Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu arriti të merrte veç 57 vota pro saj, gjë që pamundësoi zgjedhjen e saj në krye të këtij institucioni.
41 vota kishte kundër, dhe tri abstenime, derisa në sallë ishin të pranishëm 109 deputetë.
VV-ja po akuzon partitë tjera për bllokadë të qëllimshme të Kuvendit, ku ngjashëm po deklarohen edhe PDK, LDK dhe AAK për partinë e parë.
Hekuran Murati tha se ata që po votojnë kundër po e krijojnë këtë bllokadë, ndërsa për VV-në ai tha se është në rregull derisa deputetët e saj po votojnë pro. I pyetur për një ndryshim të mundshëm të emrit të propozuar, ai tha se Albulena Haxhiu do vazhdojë të jetë emri i propozuar në çdo votim të radhës.
Memli Krasniqi i PDK-së tha se VV-ja me zor po duan ta bëjnë Haxhiun Kryeparlamentare, ndërsa ka kërkuar që ta ndryshojnë kandidatin e tyre. Ai madje shtoi se PDK është e gatshme edhe për zgjedhje të reja.
Lumir Abdixhiku i LDK-së pas dështimit të seancës së sotme, tha se është VV-ja ajo që duhet të bëjë zgjidhje për sitatën, ndërsa deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami theksoi se LDK-ja s’ka votë as për Haxhiun e as për ndonjë kandidat tjetër.
Nga AAK-ja kanë thënë se VV-ja qëllimshëm po e bën gjithë këtë bllokadë. Sipas Time Kadrijajt, VV-ja po vazhdon të propozojë Albulena Haxhiun, pasi nuk i kanë votat as për të bërë qeverinë.
Fatmir Limaj nga NISMA bëri thirrje që partitë politike të reflektojnë.
Pas dështimit të kësaj seance sot, vazhdimi i saj do të jetë pas 48 orësh, më martën e 29 prillit.