“A keni dëgjuar që kam thënë se po? Do të jem (kandidat për kryetar të LDK-së v.j.). Jam dëshmuar në Prishtinë, jam rizgjedh, e kam pru LDK-në të parën në Prishtinë”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një deklaratë për gazetën “Blic”. E në pyetjen nëse duhet të dorëhiqet Abdixhiku, Rama ka shtuar: “Mendoj që kishte bërë mirë. Ashtu duhet me bë”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e brendshme që kjo parti do t’i ketë vitin e ardhshëm. Në një deklarim për media gjatë së enjtes, Rama po ashtu i ka bërë thirrje kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhikut, që të japë dorëheqje. “A keni dëgjuar që kam thënë se po? Do të jem (kandidat për kryetar të LDK-së v.j.). Jam dëshmuar në Prishtinë, jam rizgjedh, e kam pru LDK-në të parën në Prishtinë”, ka thënë ai në një deklaratë për gazetën “Blic”. E në pyetjen nëse duhet të dorëhiqet Abdixhiku, Rama ka shtuar: “Mendoj që kishte bërë mirë. Ashtu duhet me bë”.
Ishte pikërisht Abdixhiku që e prezantoi Ramën si kandidat të LDK-së për kryetar të Prishtinës në vitin 2021, kur ai nuk kishte karrierë në politikë dhe njihej kryesisht si arkitekt e urbanist me përvojë ndërkombëtare. Rama ka fituar në dy palë zgjedhje nën siglën e LDK-së, duke u zgjedhur kryetar i Prishtinës në vitin 2021 dhe në vitin 2025. Në shumë raste ai e ka përsëritur se nuk është anëtar i LDK-së.
E ditë më parë, Abdixhiku ka reaguar ndaj ambicieve të Ramës për kryetar të LDK-së gjatë një paraqitje për media. Kryetari aktual ka pozuar me një filxhan ku ishte stampuar flamuri “dardan” në përshkrim ka shkruar: “LDK vetëm e LDK-së”. Në fakt, kjo parti është përballur kohëve të fundit me shumë pakënaqësi të brendshme. Abdixhiku është zgjedhur në krye të LDK-së më 14 mars 2021 në zgjedhjet e brendshme të jashtëzakonshme. Në nëntor 2023, është konfirmuar si kryetar në zgjedhjet e rregullta.
Pas rezultatit në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ai ka ofruar dorëheqjen dhe ia ka lënë në dorë vendimin Kuvendit të partisë. Më 31 janar 2026, Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit. Ngjashëm i ka mbijetuar votëbesimit edhe më 30 korrik 2026, pas një nisme të një pjesë të anëtarëve të partisë. Pakënaqësitë brenda partisë janë shfaqur edhe pak javë më parë, kur Abdixhiku dhe kryeministri Albin Kurti kanë arritur marrëveshje për të zgjedhur president profesorin Bekim Sejdiu, por të paktën gjashtë deputetë të LDK-së, nuk e kanë përkrahur kandidaturën. Në tri palë zgjedhje, Abdixhiku me LDK-në kanë dalë në vend të tretë. Aktualisht kjo parti ka 18 deputetë në Kuvend.

