Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Territoret e Pushtuara Palestineze, Francesca Albanese, ka bërë akuza të rënda kundër vendeve evropiane, përfshirë Serbinë, duke pretenduar se blerja e teknologjive izraelite ka pasoja më të gjera për liritë civile.
Albanese paralajmëroi se vende si Serbia dhe Italia po bashkëpunojnë me Izraelin jo vetëm përmes tregtisë, por edhe përmes sigurisë dhe marrëveshjeve teknologjike që, sipas saj, mund të keqpërdoren kundër qytetarëve të tyre.
“Vende si Italia ose Serbia janë të lidhura me Izraelin, duke blerë sistemet e tij të mbikëqyrjes për të kontrolluar njerëzit, për të njëjtën arsye që Izraeli kontrollon palestinezët, në mënyrë që të mos ketë të pabindur,” tha Albanese në një intervistë me Radar.
Evropa dhe Ballkani, pjesë e problemit
Albanese theksoi posaçërisht se Evropa, duke përfshirë vendet jo-anëtare të BE-së, mbajnë njëfarë përgjegjësie për mbështetjen e saj politike, ushtarake dhe ekonomike për Izraelin.
“Evropa është partneri më i madh tregtar i Izraelit dhe kështu bëhet bashkëpunëtor. Italia, Gjermania dhe Serbia eksportojnë armë, të gjitha janë pjesë e problemit. Vendet evropiane kanë ngulur një thikë pikërisht në zemër të asaj që ka mbetur nga e drejta ndërkombëtare. Tani u takon qytetarëve të zakonshëm të na kthejnë në një pozicion ku paligjshmëria nuk është ligj”, paralajmëroi ajo.
Ajo shtoi se një bashkëpunim i tillë minon të drejtën ndërkombëtare dhe kontribuon në destabilizimin e rajonit më të gjerë, pasojat e të cilit, pretendon ajo, mund të ndihen në Ballkan dhe Evropë.
Teknologjia vrastare në Gaza, tashmë në të gjithë botën
Një nga akuzat më serioze lidhet me përdorimin e teknologjisë së zhvilluar gjatë konfliktit në Gaza.
Albanese deklaron se sistemet e sofistikuara të mbikëqyrjes dhe mbledhjes së të dhënave, të cilat u përdorën në operacionet ushtarake, tani janë të pranishme në vende të tjera, përfshirë kontrollin e protestave dhe migrimit.
“Palantir zhvilloi teknologji duke mbledhur të dhëna palestineze. Kompani si Amazon dhe Microsoft gjithashtu shërbyen të njëjtin qëllim – ata ndihmuan Izraelin të mbledhë të dhëna mbi palestinezët, të dhëna që më vonë u përdorën në shkatërrime masive dhe vrasje masive në Gaza. Dhe tani kjo teknologji e sofistikuar po përdoret kundër migrantëve dhe kundër njerëzve që po rebelohen në vendet e tyre. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë them se nuk ka rëndësi nëse je pro apo kundër Palestinës – mbro veten. Rezistoji militarizimit të jetës sate”, tha ajo.
Sipas saj, bota po përballet me militarizim në rritje, ku vija ndarëse midis luftës dhe mjeteve civile po bëhet gjithnjë e më e hollë. Ajo thekson se sistemet e sigurisë, të cilat paraqiten si mbrojtje, mund të bëhen një mjet kontrolli dhe kufizimi të lirisë, veçanërisht në vendet me tensione të theksuara politike.
Thirrje për qytetarët: “Mos heshtni”
Së fundmi, Albanese u bëri thirrje qytetarëve në të gjithë Evropën dhe botën që të mos qëndrojnë pasivë.
“Nëse ndalojmë së heshturi, mund të ndalojmë abuzimet e mëtejshme dhe t’i bëjmë përgjegjës ata që janë përgjegjës”, përfundoi ajo.
Ç’na thonë paralajmërimet e saj?
Paralajmërimet e kësaj gruaje dinjitoze, e rrallë sot në botë, janë një sirenë alarmi dhe për Shqipërinë, edhe pse vendi ynë ka munguar në deklarimet e saj.
Krejt papritmas, prej ngjarjeve të 7 tetorit në Izrael(ndryshe në tokë palestineze të pushtuar), Rama merr një kthesë kah shteti sionist, duke u bërë palë me të dhe duke nënshkruar marrëveshje tejet të diskutueshme, deri dhe me risk për sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e vendit.
Rama i ka hapur disa dyer Izraelit, aq sa duket si i marrë peng ose i shanrtazhuar prej tyre. /tesheshi.com/

