Një kallëzim penal për “terrorizëm” është ngritur kundër një banori të Shkupit i cili ka raportuar rrejshëm se është vendosur bombë në një aeroplan në aeroportin e Shkupit më 16 gusht, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.
“Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në kuadër të MPB-së – Sektori për Luftimin e Terrorizmit, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ngriti kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar kundër S.A. (26) nga Shkupi për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “terrorizëm” sipas nenit 394 – b të Kodit Penal.
Pas marrjes së masave dhe aktiviteteve, u zbulua se më 16.08.2025 në orën 02.41 ai ka raportuar rrejshëm se në një aeroplan që duhej të nisej nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit për në Republikën e Turqisë ishte vendosur një bombë, pas së cilës aeroporti u mbyll për trafik për disa orë, ndërsa fluturimet e planifikuara u shtynë gjithashtu për disa orë, përkatësisht deri në përfundimin e kontrolleve antiterroriste.
Gjatë marrjes së masave, më 20.08.2025, me urdhër gjykate, u krye një kontroll në shtëpinë e S.A. në zonën e Kisella Vodës, gjatë së cilës u gjetën dhe u sekuestruan sende që lidhen me ngjarjen, dhe ai u privua nga liria. Në një intervistë zyrtare në një stacion policor, ai e rrëfeu krimin, njofton Ministria e Brendshme.
Më herët edhe nga Prokuroria njoftuan se për rastin është hapur procedurë hetimore, ndërsa të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit.