Pas rastit të Koçanit, ku u dogjën 59 persona në një diskotekë, doli në pah skema e krimit dhe e ryshfetit që buron nga pushteti i kaluar, përmes dhënies së lejeve nga Ministria e Ekonomisë.


Pas ngjarjes tragjike të djeshme, u arrestuan 20 persona, mes të cilëve edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi – kuadër i BDI-së dhe i afërt me Ali Ahmetin.
Nga Prokuroria nuk u dhanë shumë detaje, përveç se theksuan se po hetohen të gjitha pistat e mundshme: nga dhënia e licencës, te ryshfeti dhe korrupsioni që lidhet me funksionimin e këtij lokali.
Pas qeverisjes së gjatë të BDI-së, po dalin në sipërfaqe skemat e korrupsionit, që nisën me Artan Grubin – i cili u fut në listën e zezë të Departamentit të Shtetit Amerikan për korrupsion masiv. Kjo nuk u ndal me kaq, por vazhdoi me ngritjen e aktakuzës ndaj Përparim Bajramit në rastin e Lotarisë, dhe më pas me arrestimin e djalit të deputetit Jaovski, i cili së bashku me Ardian Muçen dyshohet se ka dëmtuar shtetin për 167 milionë euro.
Ajo që është përfolur prej vitesh si një sekret publik, më në fund po del në dritë – Prokuroria, tashmë me duar të lira nga ndikimi politik, ka nisur zbardhjen e rasteve të korrupsionit masiv.