Osmani: Po të propozohesha nga VV-ja si kandidate e vetme, do të rizgjidhesha presidente

7 Min. Leximi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidate të vetme, atëherë ajo do të rizgjidhej presidente. Vetëvendosje e kishte propozuar Glauk Konjufcën si kandidat, ndërsa më pas ia kishte premtuar edhe Osmanit 30 nënshkrime për t’u kandiduar. Osmani i refuzoi ato.

Osmani në intervistë për “Syri TV” tha se ka pasur edhe përkrahjen e deputetëve të opozitës, sidomos të atyre nga LDK-ja.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj

“Pastaj pas zgjedhjeve fillimisht më është thënë se ne i kemi vetëm 57 vota, do të jetë problem me opozitën dhe natyrisht që e kemi biseduar hapur se duhet të punojmë bashkë me opozitën dhe këtë e kam bërë. E kam diskutuar individualisht me deputetë, sidomos nga LDK-ja dhe nga disa parti të tjera më të vogla, kam diskutuar individualisht me partitë joshumicë duke ardhur në konkluzion se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe ta kishim një kandidat tjetër formal si gjithnjë, jam e bindur se sot do të kishim presidente, do ta kishim qeverinë Kurti dhe do të ishim duke diskutuar se si të kapitalizojmë nga përkrahja jashtëzakonisht e fuqishme e administratës Trump 2”, tha Osmani.

Ajo tha se kur ishte qartësuar se mund të ketë shanse të mëdha të rizgjidhej, nga VV-ja erdhi vlerësim i ri, e personalisht nga Kurti, se nuk do ta mbështesë kandidaturën.

“Sa më shumë që punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtetë do të jenë aty, sepse e dini që LDK-ja ka thënë se s’ka pasur qëndrim refuzues për mua dhe ka pasur parti të tjera që fare nuk janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në rast se propozohet emri im, por kur u  qartësua që unë kam shanse të zgjidhem, nga LVV-ja erdhi një vlerësim i ri dhe nga ai personalisht (Kurti) se nuk e mbështetë kandidaturën time”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se Kurtit ia ka besuar plotësisht dialogun Kosovë – Serbi.

“Tradicionalisht dhe me Kushtetutë, presidenti merret me politikën e jashtme. Unë kryeministrit Kurti ia kam besuar plotësisht dialogun. Jam presidentja e parë dhe e vetme që nuk kam dërguar përfaqësues në dialog. Presidenti Thaçi e ka pasur përfaqësuesin e tij në dialog kur kryeministri Mustafa e udhëhiqte atë edhe presidentja Jahjaga ka pasur përfaqësuesin e saj në dialog”, tha Osmani.

Ajo tha se për shumë marrëveshje e kishte kuptuar në media.

“Unë kam qenë e vetmja që s’ka dërguar përfaqësues në dialog, përkundër faktit që për shumë marrëveshje e kam kuptuar nga mediat, përkundër faktit që për shumë gjëra është pajtuar atje e ka ditur që unë nuk pajtohem, edhe për nenin 7 të marrëveshjes së Brukselit edhe për aneksin e Ohrit edhe për statutin e asociacionit, e ka ditur qëndrimin tim. Unë nuk i kam ndërhyrë asnjëherë”, tha Osmani.


Osmani thotë se Kurti u zotua se do ta mbështeste, kjo e bindi të rikandidonte

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se arsyeja pse ka vendosur që të shprehë ambicien për rikandidim ishte vullneti i qytetarëve dhe zotimi i kryeministrit Albin Kurti se do ta mbështeste.
Osmani madje është shprehur se kryeministri Kurti i ka thënë që është “presidentja më e mirë e shekullit 21”.

“Arsyeja pse unë kam dalë publikisht në fund të vitit të kaluar, duke thënë se synoj që të rikandidohem, e para ka qenë vullneti qytetar të cilët me mijëra e mijëra na kontaktonin në baza javore dhe arsyeja e dytë është zotimi i vetë kryeministrit Albin Kurti se do të më mbështeste në këtë kauzë duke e kualifikuar vetë që bashkimi ynë si binom është interes për të cilin ka nevojë Kosova. Ne do të vazhdojmë bashkë me ketë binom. Vlerësimi i tij madje ka qenë superlativ, duke më thënë je presidentja më e mirë e shekullit 21. Këtë vlerësim e ka thënë edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit”, tha Osmani për “Syri TV”.


Osmani e bindur që dekreti është në përputhje me kushtetutën: Megjithatë s’jam pejgambere

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se është e bindur që Gjykata Kushtetuese do të vendosë në përputhje me dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit, por nëse jo potencoi se e pret pasi siç tha – nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime.

“Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë presidentja Osmani në një intervistë për median e Shqipërisë, TV Syri.

Presidentja Osmani ka përsëritur që nuk ka pasur ndonjë interes personal e as nervozizëm të momentit kur e nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Ishte e qartë që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka dashur kandidaturën time dhe unë e kam pranuar. Nuk ka nervozizëm të momentit. Nuk kam as interes personal. Më shumë do të më konvenonte afati 60 ditësh sepse do të kisha pasur kohë t’i ftoja sërish partitë politike, duke filluar nga ajo më e madhja, Lëvizja Vetëvendosje. Unë veprova ashtu siç e kërkon kushtetuta”, ka thënë presidentja Osmani.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull