Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se rrëmbimi i shtetasit të Kosovës nga xhandarmëria serbe është një krim, një provokim i rëndë dhe tentim vrasje nga institucionet shtetërore të Serbisë.
Presidentja Osmani e pyetur nga gazetarët për rastin në fjalë, tha se edhe sikur rrëmbimi i shtetasit kosovar nga autoritetet serbe të ndodhte brenda territorit të Serbisë “përsëri do të ishte provokim i rëndë për paqen dhe stabilitetin në vendin tonë”.
Ajo tha se po presin ende konkluzionin final për rastin, por sipas institucioneve të Kosovës ka unanimitet se plagosja dhe rrëmbimi i qytetarit serb të Kosovës ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.
“Përtej çështjes se ku ka ndodhur, pavarësisht se ku të ketë ndodhur, kjo prapë se prapë është krim, provokim i rëndë dhe tentim vrasje e institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës se Kosovës. Edhe sikur kjo të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë të cilën Serbia e rrezikon vazhdimisht”, tha Osmani.
Osmani për rrëmbimin e qytetarit kosovar: Edhe po të ishte në Serbi, mbetet provokim

Ndani këtë artikull
