Osmani: Nuk është betejë me VLEN-in, është betejë kundër konceptit për një shtet monoetnik

3 Min. Leximi

Unë këtë e kam thënë vazhdimisht. Kjo nuk është betejë me VLEN-in. VLEN është një eksperiment i dizajnuar për ta legjitimuar politikën e kthimit në një shtet monoetnik. Më 19 tetor duam ta dërgojmë mesazhin deri te ata që e kanë dizajnuar këtë koncept, idenë se mund të na trajtojnë si popull të dorës së dytë. Kështu ka thënë sonte në hapjen e Shtabit Vendor “Skender Metallari” kandidati i AKI, Bujar Osmani, ndërsa ka shtuar se shqiptarët tashmë janë popull me dy shtete në Ballkan, të cilat zhvillohen me hapa gjeometrikë

“Ne jemi popull që kemi kaluar nëpër shumë vështirësi, nëpër luftë dhe revolucion. Në fund të fundit, ne jemi popull me dy shtete në Ballkan, të cilat zhvillohen me hapa gjeometrikë, dhe nuk na takon të lejojmë të na poshtërojnë, të na tërheqin për veshë, të na margjinalizojnë. Prandaj, është e rëndësishme kjo mobilizim. Pak para se të vij këtu, bashkë me Arben Taravarin i mblodhëm të gjithë mjekët nga klinikat në Shkup dhe spitalet në Shkup. Unë dhe Arben Taravari – dy kundërshtarët e një viti më parë, në zgjedhjet presidenciale, që së bashku morëm 200 mijë vota. Sot ishim bashkë, për t’ua thënë mjekëve: vëllezër, kjo nuk është kohë për ndarje partiake”, ka thënë Osmani, ndërsa shtoi se ekziston një plan që shqiptarët sërish të reduktohen në pakicë, nuk do të lusim për barazi.

- Advertisement -

“Barazia jonë është vënë në pikëpyetje. Ekzistojnë plane të përgatitura mirë, të cilat i di si përmes bashkësisë ndërkombëtare, ashtu edhe përmes informacioneve konfidenciale. Plani është që të ndodhë ‘faza e dytë’: kthimi i statusit të shqiptarëve në pakicë dhe përjashtimi i tyre nga vendimmarrja”, deklaroi Osmani para qytetarëve të Çairit.

- Advertisement -

Ai e përmendi drejtpërdrejt kryeministrin Mickoski si simbol të asaj agjende.

“E dini pse më urren Mickoski? Jo për shkak të marrëveshjes me Bullgarinë. Jo për çështje të tjera. Por sepse ata nuk duan politikanë shqiptarë që e shohin veten si zotër të shtëpisë“, tha Osmani.

Ai gjithashtu theksoi se asnjëherë nuk ka pranuar rolin e qytetarit të rendit të dytë, as kur e ka udhëhequr diplomacinë maqedonase, as sot.

“Nëse përgjegjësia ime ka qenë të negocioj në emër të shtetit, e mora atë punë dhe mbylla një kontest që kishte zgjatur 30 vjet. Ata nuk duan të ekzistojnë politikanë shqiptarë që ndihen zotër të shtëpisë së tyre. Janë mësuar të na shohin si njerëz që gjithmonë duhet të kërkojnë edhe ndonjë të drejtë, të lusin. Jo! Ne jemi në një stad kur nuk pranojmë asgjë më pak se barazinë e plotë”, theksoi ai.

Në fjalimin e tij, Osmani nënvizoi se synimi i tij kryesor është të mbjellë vetëbesim te të rinjtë: “Më gëzon që të rinjtë po vijnë në tubime. Dua që te ata të mbjell vetëbesimin”.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull