Qytetarët e dy vendeve përshëndesin nisjen e sistemit “One Stop” në vendkalimin kufitar në Bllacë dhe shpresojnë se do të përfundojnë edhe pritjet e gjata prej më shumë se një orë për të kaluar në Kosovë. Nga ata që takuam në kufi, thanë se udhëtojnë shpesh, ndërsa ka pasur raste që janë kthyer përsëri në shtëpi ose edhe fare nuk janë nisur për shkak të kolonave.
“Ka pasur shumë, sidomos këndej nga ana jonë, ka pasur. Shumë kemi pritur. Zakonisht ndonjëherë fare nuk dilnim shkaku i pritjes në kufi por shyqyr Zotit mirë është bërë tani”, tha një qytetar.
“Kemi pritur shumë. Ka pasur raste kur kemi pritur edhe nga dy tre orë dhe në fund jam kthyer prapa. Tani shpresoj se është më mirë”, tha një tjetër qytetar.
A besoni se do të përsëriten ato pritje të gjata kështu me vetëm një vendkalim?
“Nuk besoj, nuk besoj, besoj se do të jetë më lehtë”, shtoi ai.
“Për neve është diçka e mirë normalisht sepse më pak kontrolle më pak pritje. Ka pasur raste, sidomos të dielave për shembull për shkak të motit të mirë apo në Kopshtin Zoologjik, ndonjë qendër tregtare. Ka pasur raste që kemi pritur por më shumë se 30-40 minuta jo”, tha një qytetar.
“Po do të jetë lehtësim i madh besoj që mos të ndalemi në dy pika por të vazhdojmë më shpejtë dhe të kalojmë në pjesën tjetër të Maqedonisë”, shtoi një tjetër qyetetar.
Vetëm në muajin mars të këtij viti, mbi 160 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë hyrë dhe dalë nga pika kufitare e Bllacës. Vetëm në vitin 2024, mbi pesë milion njerëz kanë kaluar nga njëri shtet në tjetrin përmes tre vendkalimeve kufitare në Bllacë, Jazhincë dhe Bellanocë./Alsat.mk