Oda e Zejtarëve të RMV, përmes kryetarit të saj, Agron Fazliji, ankohet se Zejtarët dhe Zejet formalë të vendit kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me ekzistencën e ekonomisë gri apo asaj jo formale. Të njëjtit kërkojnë nga institucionet e shtetit që ekonomia gri të luftohet, pasiqë po vërehet rënie e konsiderueshme e të ardhurave të tyre. Fazliji thotë se ne si Odë edhe përkundër tentimeve për të mbrojtur Zejet dhe Zejtarët formal, institucionet e shtetit janë ata që më së miri duhet ta kryejnë këtë detyrë.
“Bizneset e sidomos Zejtarët më së shumti ankohen për barrierat e larta fiskale si dhe sigurisht nga konkurrenca jo formale, me çka ne po bëjmë çmos me angazhimin tonë si Odë dhe me profesionistët tanë të punësuar në këtë lëmi bëjmë kërkesa të vazhdueshme deri tek ministritë përkatëse si dha deri tek qeveria që të munden zejtarët tanë t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre më të lire dhe të jenë më konkurrent në treg gjithashtu edhe konkurrenca jo formale dhe ekonomia gri po na shkakton shumë vështirësi tek Zejtarët ku edhe e kemi potencuar për të disatën herë se kancer i çdo ekonomie është ekonomia gri. Ne në të ardhmen me institucionet pëkatëse do të vazhdojmë të ndihmojmë Zejtarët.”, tha mes tjerash, Agron Fazliji, kryetar i OZ të RMV.
Sa i përket ndihmës apo subvencionimit të Zejeve dhe Zejtarëve nga ana e Qeverisë, Fazliji thotë se po vërehet dëshirë dhe vullnet nga ana e tyre për të përkrahur zejtarët e vendit përmes formave e projekteve të ndryshme.
“Së fundmi kemi nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë për disa projekte në nivel nacional dhe lokal, sigurisht se nga muaji Janar do të fillojmë me implementimin e këtyre projekteve që janë me theks të veçantë trajnimin dhe përkushtimin ndaj Zejeve me qëllim të jenë të barabarta në tregun tone si në aspektin profesional por edhe zhvillimit të tyre fiskal e ekonomik.”, shtoi mes tjerash, Agron Fazliji, kryetar i OZ të RMV.
Ndryshe në vendin tonë, Zejtarë të regjistruar në Odën e Zejtarëve të RMV, janë rreth 20 mijë.