Nuk u përfshi në listën e LDK-së, Veliu: Padrejtësi, nuk tërhiqem, ky është vetëm fillimi

2 Min. Leximi

Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar pasi nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.Ai këtë e ka quajtur padrejtësi të pashembullt.

“Edhe pse nuk kam humbur asnjë garë në jetën time politike, sot po shoh një padrejtësi të pashembullt brenda vetë partisë sime. Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik ! Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës fituese për vite me radhë. Unë nuk jam bërë barrë për askënd, por duket se dikush është trembur nga fuqia ime elektorale dhe integriteti që e kam dëshmuar me punë e me votë, e jo me pazaret e zyrave të mbyllura! Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Ai ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet, duke thënë se ky :është vetëm fillimi”

“Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare. Transparenca dhe drejtësia do të kërkohen deri në fund. Ky është vetëm fillimi”, ka shkruar Veliu./21Media

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull