Nuk do të ketë më profesorë universitarë të përhershëm – rizgjedhje e detyrueshme çdo shtatë vjet

2 Min. Leximi

Profesorët universitarë në Maqedoninë e Veriut nuk do të kenë më titull të përhershëm deri në pension. Sipas Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, ata do t’i nënshtrohen rizgjedhjes së detyrueshme çdo shtatë vjet për të ruajtur pozitën akademike.

Nëse nuk e kalojnë procesin e rizgjedhjes, profesorëve do t’u ndërpritet marrëdhënia e punës dhe do të duhet të kërkojnë angazhim tjetër profesional. Kjo konsiderohet si një nga risitë më të rëndësishme të ligjit të ri, i cili ndodhet në fazën përfundimtare dhe pritet së shpejti të dalë në shqyrtim publik përmes sistemit ENER.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë një brifingu me gazetarët, deklaroi se po rikthehet një obligim që në të kaluarën ishte hequr. Ajo theksoi se fillimisht po rivendosen kriteret për avancim në tituj akademikë, ndërsa për profesorët e rregullt po parashikohet rizgjedhje periodike çdo shtatë vjet.

“Sipas praktikës së deritanishme, profesorët bëheshin të rregullt rreth moshës 40-vjeçare dhe e mbanin titullin deri në pension, në moshën 67 vjeç. Me ligjin e ri, kjo praktikë ndryshon – çdo shtatë vjet do të ketë vlerësim të detyrueshëm”, sqaroi Janevska.

Ajo shtoi se kriteret e sakta për rizgjedhjen, si dhe institucionet që do ta kryejnë vlerësimin, do të përcaktohen qartë në dispozitat e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull