Shkruan: Bekim Rexhepi
Në çdo demokraci funksionale, balanca politike është thelbësore për stabilitetin e shtetit dhe përfaqësimin e drejtë të qytetarëve. Kur një forcë politike synon dominim të plotë institucional, nevoja për një kundërpeshë serioze bëhet edhe më e domosdoshme. Në këtë kontekst, një figurë e fuqishme si Ali Ahmeti dhe një strukturë e organizuar si Bashkimi Demokratik për Integrim mund t’i bëjnë ballë një VMRO-DPMNE-je gjithpushtetëshme.
Kjo është dëshmuar ndër vite apo në këtë 20 vitet e fundit. Në një periudhë të karakterizuar nga kriza politike, tensione institucionale dhe përplasje të forta partiake, BDI ka arritur të mbetet faktor i rëndësishëm në skenën politike dhe në vendimmarrje. Ndërkohë që shumë subjekte politike kanë kaluar në luhatje dhe fragmentim, kjo parti ka ruajtur kohezionin e brendshëm dhe stabilitetin organizativ.
BDI është e mirëetabluar në elektoratin shqiptar. Organizimi i saj nuk mbështetet vetëm në retorikë, por në një rrjet të strukturuar degësh dhe aktivistësh në terren, që mbajnë lidhje të drejtpërdrejta me qytetarët. Ky organizim i qëndrueshëm ka bërë të mundur që partia të ruajë vazhdimësinë dhe ndikimin institucional, pavarësisht ndryshimeve në konfigurimet qeverisëse.
Në qendër të këtij organizimi qëndron figura e pakontestueshme e Ali Ahmetit. Përkrahësit e tij e konsiderojnë si simbol të përfaqësimit politik dhe garant të artikulimit të interesave shqiptare në nivel shtetëror. Përvoja, autoriteti dhe aftësia për të menaxhuar situata të ndërlikuara politike kanë qenë elementë kyç në ruajtjen e unitetit brenda strukturës dhe në përballjen me sfidat e jashtme.
Përballë një VMRO-DPMNE-je që synon shtrirje të gjerë të pushtetit, sfida nuk është vetëm elektorale, por edhe institucionale. Ruajtja e balancave ndëretnike dhe demokratike kërkon një subjekt të fortë, të organizuar dhe me drejtim të qartë strategjik. Përvoja e e këtyre 20 vjetë të fundit tregon se kur ekziston lidership i konsoliduar dhe strukturë funksionale, ekziston edhe kapacitet real për t’u përballur me çdo tendencë dominimi politik.
Në fund, demokracia nuk matet vetëm me fituesin e zgjedhjeve, por me ekzistencën e balancës dhe përfaqësimit të qëndrueshëm. Dhe kjo balancë mund të garantohet vetëm nga forca politike që kanë strukturë, vizion dhe lidership të provuar në kohë.

