Moskonstituimi i Kuvendit, nga perspektiva e nxënësve dhe prindërve, ka prodhuar një efekt pozitiv. Sindikalistë të arsimit njoftuan se, në mungesë të institucioneve të reja, kanë vendosur ta pezullojnë grevën e paralajmëruar që të nisë në fillim të vitit të ri shkollor
Sindikalistët e arsimit kanë hequr dorë nga paralajmërimi i deklaruar në korrik, për grevë në fillim të vitit të ri shkollor.
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, tha se vendimi është marrë, meqë Kosova ende nuk i ka konstituuar institucionet e reja. Sipas saj, nëse edhe këto institucione nuk tregojnë gatishmëri për dialog, atëherë do të ndërmerren veprimet e presionit sindikal.
“Duke e parë që kemi një situatë të tillë, SBASHK-u është për veprime me formim të institucioneve përgjegjëse të Kosovës, çka është për takim me përfaqësues legjitim të Ministrisë së Arsimit, të cilët do të zgjidhen e në të njëjtën kohë edhe me Qeverinë e Kosovës, me formimin e saj do t’i adresojmë përmes dialogut fillimisht të gjejmë zgjidhje të atyre kërkesave të punëtorëve, mirëpo në asnjë rast me krijimin apo formimin e institucioneve, në qoftë se nuk gjejmë zgjidhje, natyrisht që ne nuk i përjashtojmë edhe veprimet sindikale e gjithashtu edhe grevat”, ka bërë të ditur Shala.
Sindikalistët kanë kërkuar paga më të larta dhe nënshkrim të Kontratës së re Kolektive.
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, theksoi se meqë sindikata nuk ka ku t’i drejtojë kërkesat, është krijuar pasiguri te mësimdhënësit.
“Që nga 9 shkurti i mbajtjes së zgjedhjeve është një kohë shumë e gjatë që nuk janë formuar institucionet përgjegjëse dhe është shumë shqetësuese, ngase ne nuk po kemi mundësi ku t’i adresojmë kërkesat e punëtorëve të arsimit e që janë shumë legjitime”, është shprehur ajo.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, e ka kritikuar SBASHK-un për kërcënimet me grevë.
“Këto kërcënimet për ndërprerjen e procesit mësimor nuk ishin shumë serioze nga ana e SBASHK-ut, veçanërisht kur dihet dëmi që të njëjtit e kanë shkaktuar me vite me radhë, po më e rëndësishmja është që nuk në të drejtë ndaj nxënësve që t’ju humbasin ditët, javët, muajt e mësimit në emër të realizimit të disa kërkesave sindikale të cilat mund të realizohen, kërkohen edhe përmes reagimeve të tjera”, ka theksuar Qehaja.
Në fillim të korrikut, SBASHK-u e paralajmëroi mundësinë e hyrjes në grevë në shtator, kur të fillojë viti i ri shkollor, duke e ndërlidhur këtë me mungesën e institucioneve funksionale.
Që nga viti 2003, SBASHK-u vazhdimisht ka kërcënuar me greva, për plotësimin e kërkesave që kryesisht lidhen me rritje të pagave. Vetëm në vitin 2022, procesi mësimor u ndërpre për një muaj e një javë.