Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Ai ka injoruar pyetjet e gazetarëve, duke mos dhënë asnjë koment mbi situatën politike dhe procesin e krijimit të shumicës parlamentare, raportoi Ekonomia Online.
Në Kuvendin e Kosovës, të dielën, do të mbahet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re.
As në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse kanë siguruar shumicën në Kuvend, që do të garantonte votim të suksesshëm të Qeverisë.
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, të enjten mbrëma në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se përpjekjet për këtë do të bëhen deri në ditën e fundit.
“Ne po bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Jemi shumë të interesuar që sa më shpejt qeveria të votohet por jo me çdo kusht”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka konfirmuar se diskutime janë zhvilluar individualisht edhe me deputetë të subjekteve politike, por nuk pranoi të bëjë të ditur emrat.
“Ka pas përpjekje nga ana jonë që të vendosim kontakte me ta. Ka pasur takime po ashtu. Nuk mund ta them ndonjë numër e as një emër”.
Lëvizjes Vetëvendosje i duhen së paku edhe pesë vota, nga ato që thotë se i ka të sigurta, për të arritur minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për votimin e suksesshëm të qeverisë. Ky subjekt politik që ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë. Përkrahje ka prej shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit nga komuniteti serb. Kurti e Vetëvendosja, të sigurt nuk e kanë mbështetjen e deputetes boshnjake Duda Balje, atij egjiptian Veton Berisha e të goranit Adem Hoxha.
Në rast të dështimit të votimit të Qeverisë, presidentja ka diskrecion ta caktojë mandatarin edhe nga parti të tjera, jashtë asaj fituese, me kushtin që t’i dëshmohet shumica në Kuvend.
Përfaqësues të subjekteve kryesore politike, PDK-ja dhe LDK-ja kanë theksuar se nuk i kanë numrat për ta bërë Qeverinë, në rast se mandatari s’i siguron votat në herën e parë. Sipas Kushtetutës, nëse qeveria dështon të zgjidhet edhe herën e dytë, atëherë presidentja shpall zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve.

