Kryetari i Shoqatës “SOS Vita Shkup”, z. Ertan Shakiri, sot vazhdoi misionin e tij për të ndihmuar personat me nevoja të veçanta, duke realizuar një tjetër akt human në fshatin Koroshisht të Komunës së Strugës.
Shoqata dhuroi një karrocë elektrike për një anëtare të re, duke sjellë gëzim dhe lehtësim në jetën e saj. Ky donacion u mundësua falë një donatori anonim, të cilit shoqata i shprehu mirënjohje të veçantë për besimin dhe mbështetjen.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe deputetja Merita Koxhaxhiku, e cila ofroi përkrahjen e saj dhe diskutoi me kryetarin e shoqatës mbi rëndësinë e veprimeve të tilla humanitare. Deputetja u shpreh e impresionuar nga angazhimi i shoqatës dhe nga përkushtimi i treguar për të ndihmuar kategoritë në nevojë.
“Shoqata jonë mbetet e përkushtuar që kjo kategori e veçantë të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Çdo institucion duhet ta ketë prioritet përkrahjen e personave me nevoja të veçanta, sepse askush nuk është imun ndaj sfidave të jetës,” theksoi kryetari Shakiri.
Shoqata “SOS Vita Shkup” bën thirrje për bashkëpunim dhe përfshirje të gjerë shoqërore, në mënyrë që të sigurohet një jetë më e mirë për ata që përballen me sfida të veçanta.