Një nga dimensionet e rëndësishme të protestave të Gjeneratës Z lidhet me arsimin. Mungesa e investimeve, kushtet e papërshtatshme në shkolla dhe universitete, pabarazia në mundësitë për të studiuar dhe vështirësitë për të siguruar një të ardhme profesionale janë ndër shqetësimet që kanë nxitur mobilizime studentore
Nga kampuset universitare dhe shkollat deri në sheshet e qyteteve, Gjenerata Z po e kthen pakënaqësinë në mobilizim qytetar. Protestat e zhvilluara në vende të ndryshme tregojnë se kërkesat për arsim më cilësor, mundësi të barabarta, luftë kundër korrupsionit dhe ndryshim politik po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në angazhimin e brezit të ri. Lëvizjet ndoshta jo gjithmonë kanë të njëjtin organizim, por në disa prej tyre shfaqet një shqetësim i përbashkët: ndjenja se institucionet politike nuk po u përgjigjen sa duhet nevojave dhe pritshmërive të të rinjve.
Sipas një analize të publikuar nga Kombet e Bashkuara një muaj më parë, teknologjia po ndryshon tashmë aktivizmin rinor.
Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), 82 për qind e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç përdorën internetin globalisht në vitin 2025 , krahasuar me 72 për qind të pjesës tjetër të popullsisë. Në Evropë, përdorimi i internetit në mesin e kësaj grupmoshe kishte arritur në 98 për qind. Lidhshmëria u jep të rinjve mundësi të reja për të shkëmbyer informacione, për të gjetur komunitete dhe për të marrë pjesë në diskutime përtej mjedisit të tyre të afërt. Mediat sociale dhe platformat online mund të mundësojnë veprim kolektiv përtej kufijve dhe ta bëjnë më të lehtë organizimin e ngjarjeve, ndarjen e informacionit dhe mobilizimin rreth shqetësimeve të përbashkëta.

Kjo nuk do të thotë që çdo postim viral bëhet një lëvizje, ose që angazhimi online çon automatikisht në ndryshime politike, por platformat digjitale kanë ndryshuar shpejtësinë dhe shkallën me të cilën qarkullojnë informacionet dhe idetë. Ato gjithashtu kanë ulur disa pengesa ndaj pjesëmarrjes: një i ri nuk ka domosdoshmërisht nevojë për qasje në një organizatë ose institucion të themeluar për të tërhequr vëmendjen ndaj një çështjeje.
NGA PAKËNAQËSIA NË SHKOLLA TE KËRKESAT PËR NDRYSHIM POLITIK
Një nga dimensionet e rëndësishme të protestave të Gjeneratës Z lidhet me arsimin. Mungesa e investimeve, kushtet e papërshtatshme në shkolla dhe universitete, pabarazia në mundësitë për të studiuar dhe vështirësitë për të siguruar një të ardhme profesionale janë ndër shqetësimet që kanë nxitur mobilizime studentore.
Në Francë, protestat e zhvilluara në tetor 2026 kanë vënë në qendër kushtet e mësimit, mungesën e mësuesve dhe pabarazitë mes institucioneve arsimore. Nxënësit kanë denoncuar klasa të mbipopulluara, infrastrukturë të amortizuar dhe mungesë të burimeve bazë për zhvillimin e procesit mësimor. Në Indi, ndërkohë, mobilizimi i të rinjve kundër problemeve me provimet dhe rrjedhjes së tezave të provimeve çoi në protesta që përfunduan me dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Dharmendra Pradhan, në korrik 2026. Rasti tregoi se kërkesat që nisin nga një problem konkret në sistemin arsimor mund të marrin përmasa më të gjera politike.
Përtej kërkesave të drejtpërdrejta për përmirësimin e arsimit, në disa prej këtyre lëvizjeve shfaqet edhe pakënaqësia ndaj mënyrës se si ushtrohet pushteti. Të rinjtë kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe mundësi reale për të ndikuar në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tyre.
Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe vendin tonë, pasi është pjesë e kësaj vale protestash rinore. Sot (15 tetor), në kryeqytet shënohet dita e tretë e protestave, ku të rinjtë kërkojnë kushte më të mira arsimimi e jetese, si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, si dhe me dëmtime të objekteve publike e private, duke e kthyer mobilizimin në një nga zhvillimet më të diskutuara të ditëve të fundit në vend.

RRJETET SOCIALE, MOTORI I RI I ORGANIZIMIT
Një nga veçoritë që dallon shumë prej këtyre protestave është roli i teknologjisë në organizimin dhe përhapjen e tyre. TikTok, Instagram dhe platforma të tjera digjitale u japin të rinjve mundësinë të shpërndajnë informacione, të dokumentojnë ngjarje, të koordinojnë takime dhe të mobilizojnë pjesëmarrës brenda një kohe të shkurtër. Në Nepal, platformat digjitale luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin e protestave të vitit 2025, edhe në kushtet e kufizimeve të vendosura ndaj disa rrjeteve sociale. Aktivistët përdorën kanale të tjera komunikimi për të përhapur thirrjet për pjesëmarrje dhe për të koordinuar mobilizimin.
PROTESTAT SI SINJAL PËR POLITIKËN
Protestat e kësaj gjenerate po dëshmojnë se rrjetet sociale janë kthyer në një mjet të rëndësishëm për organizimin dhe mobilizimin e të rinjve, duke u dhënë mundësi të çojnë kërkesat e tyre nga hapësira digjitale në sheshe. Nga cilësia e arsimit dhe mundësitë e punësimit, te lufta kundër korrupsionit dhe kërkesat për ndryshim politik, ky brez po e bën gjithnjë e më të dukshme pakënaqësinë ndaj problemeve që ndikojnë në të ardhmen e tij.

