Nis gara për drejtor dhe zëvendësdrejtor në RTVM

3 Min. Leximi
Screenshot

Nga nesër nis gara për drejtor dhe zëvendësdrejtor në Radio Televizionin e Maqedonisë. Këshilli Programor i RTVM-së ka shpallur konkursin për nesër, ndërkohë që i njëjti do të jetë i hapur 15 ditë.  Kandidatët, shtetas të Maqedonisë së Veriut, krahas dorëzimit të Programit trevjeçar për punën e RTVM-së, duhet të kenë të mbaruar arsimin sipëror, të kenë përvojë pune të paktën tetë vjet përvojë në fushën e komunikimit, gazetarisë, TI-së, kulturës, ekonomisë ose drejtësisë, si dhe përvojë (udhëheqës) në menaxhimin e një organizate për të paktën katër vjet, shkruan gazeta KOHA.

Kandidatët, së bashku me aplikimin, duhet t’i bashkëngjisin provat përkatëse të përmbushjes së kushteve në një zarf të veçantë (Zarfi 1), në të cilin do ta shënojnë kodin e zgjidhur prej kandidatit. Programi i punës për periudhën e mandatit për të cilën bëhet aplikimi dorëzohet në një zarf të veçantë (Zarfi 2), të shënuar me të njëjtin kod dhe me shënimin Programi, pa të dhëna të tjera që do të mundësonin identifikimin e kandidatit. Të dy zarfet vendosen në një zarf të jashtëm (formati A3), me shënimin: “Për konkursin e zgjidhjes së Drejtorit të RTM-së, përkatësisht “Për konkursin e zgjidhjes së Zëvendësdrejtorit të RTM-së”.

Dilema e Këshillit të ri Programor ka qenë nëse “përvoja e punës” duhet të jetë me ose pa fakultet, megjithëse Ligji për nëpunës administrativë, neni 5, paragrafi 5, thotë se “’përvojë pune në profesion’ është periudha e evidencuar në Agjencinë për Punësim si stazh pune, të cilën i punësuari e ka kaluar në marrëdhënie pune pas përfundimit të një niveli dhe lloji të caktuar të arsimit, dhe gjatë së cilës ka kryer punë dhe detyra pune për të cilat kërkohet ai nivel dhe lloj i arsimit”. Ky nen i Ligjit konsiderohet i duhuri, pasi me të njëjtin nen është zgjedhur edhe drejtori i Agjencisë për Media, ndërsa po me këtë nen parashihen edhe ngritjet në detyrë në vende punë në ndërmarrjet publike sikurse është RTVM.

KOHA merr vesh se posti i zëvendësdrejtorit do të ketë 4-5 kandidatë, në mesin e të cilëve dominojnë gazetarët.

Konkursi për drejtor dhe zëvendësdrejtor mbetet i hapur 15 ditë nga sot, ndërsa deri në fund të muajit prill, Këshilli Programor duhet t’i emërojë drejtuesit e rinj. Ndryshe, zëvendësdrejtori i fundit në RTVM, ishte Harun Ibrahimi, ndërkohë për shkak se i njëjti kishte dalë në pension, nga viti 2021, RTVM kishte mbetur pa përfaqësues të lartë shqiptar.(koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull