Nga fillimi i muajit mars të vitit të ardhshëm do të ketë fluturime direkte nga Dubai për në Shkup.
Po ashtu, po negociohet edhe për lidhjen e Ohrit me një nga aeroportet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto lidhje do t’i sjellin shumë përfitime turizmit dhe biznesit, tha sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, në përgjigje të një pyetjeje të deputetëve në Kuvend.
Ai theksoi se marrëveshja është arritur gjatë takimit me ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Maqedoninë e Veriut, i cili u zhvillua pikërisht sot në Kuvend.
“Ajo që dua të bëj të ditur pas takimit të sotëm me ambasadorin është se kemi diskutuar për një çështje konkrete, që është lidhja e drejtpërdrejtë ajrore mes Maqedonisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila do të kontribuojë shumë në zhvillimin e turizmit dhe biznesit mes dy vendeve”, tha Nikoloski.
Ai njoftoi se, me fillimin e sezonit të ri të fluturimeve, në mars të vitit 2027, do të vendoset linja direkte Dubai–Shkup.
“U dakordësuam që me fillimin e sezonit të ri të fluturimeve, përkatësisht nga marsi i vitit 2027, të ketë fluturime direkte nga Dubai për në Shkup. Pra, do të kemi një linjë të drejtpërdrejtë ajrore Dubai–Shkup. Kjo tashmë është dakorduar dhe Flydubai do të fillojë në mars 2027, pra rreth gjashtë muaj nga sot, të fluturojë drejtpërdrejt nga Dubai në Shkup”, deklaroi ai.
Sipas Nikoloskit, kjo linjë do të ndikojë në rritjen e turizmit, veçanërisht gjatë periudhës jashtë sezonit veror.
Ndërkohë, si çështje e dytë, ende në diskutim është vendosja e një fluturimi direkt mes Ohrit dhe njërit prej aeroporteve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Ende jemi në diskutim, por do të thoja se është shumë e mundshme që ta dakordojmë edhe një fluturim direkt mes njërit prej aeroporteve në Emiratet e Bashkuara Arabe – qoftë Abu Dhabi apo Sharjah – dhe Ohrit, gjë që do të kontribuojë shumë në zhvillimin e turizmit”, tha Nikoloski.
Ai theksoi se këto marrëveshje konkrete janë rezultat i vizitës së qeverisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas Nikoloskit, gjatë takimeve mes kryeministrit Mickoski dhe sheikut Mohammed bin Zayed janë dakorduar disa çështje të rëndësishme për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ndër to është edhe regjimi pa viza, i cili tashmë është në fuqi mes Maqedonisë së Veriut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Tashmë mes Maqedonisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe udhëtohet pa viza, gjë që është shumë e rëndësishme, veçanërisht për turizmin dhe shkëmbimin e biznesit”, tha ai.
Nikoloski bëri të ditur gjithashtu se po diskutohen edhe investime të mundshme, ndërsa kompani maqedonase kanë filluar të eksportojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ai vlerësoi se Emiratet po shndërrohen në një qendër të rëndësishme për organizimin e panaireve ndërkombëtare, duke theksuar se shumë industri po i zhvendosin aktivitetet e tyre të panaireve nga Evropa Perëndimore drejt Abu Dhabit, Sharjahut dhe Dubait.

