Blegtorët sot dhe nesër në llogaritë e tyre bankare do t’i kenë subvencionet për vitin 2024, në periudhën në vijim fillon pagesa e subvencioneve për bujqit, kopshtarët ndërsa deri në festën “Shën Trifun” mjete do të marrin edhe vreshtarët. Këtë sot nga rajoni i Shën Nikollës e deklaroi ministri i bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski. Pas njoftimeve të bujqve nga rajoni i Koçanit se do të protestojnë nëse nuk marrin subvencione deri në fund të muajit, Nikollovski u përgjigj se viti 2024 do të jetë historik sepse paguhen subvencione për vitin e njejtë.
“Agjencia e pagesave tashmë ka filluar të paguajë pjesën tjetër të subvencioneve, gjegjësisht pagesën e parë do ta kenë blegtorët të cilët në vitin 2023 nuk ishin përfshirë në pjesën e pagesës bazë. Dhe përsëri viti 2024 do të jetë historikisht viti i parë që blegtorët të marrin para në vitin 2024 për vitin 2024. Janë duke u përgatitur të gjitha pagesat për bujqit, për vreshtarët para “Shën Trifunit”, për kopshtarët”, thotë Nikollovski.
Ai shprehet se edhe nafta e gjelbër po paguhet më rregullisht se kurrë, duke shtuar se bujqit kanë marrë kartela për naftën e gjelbër që në gusht.
“Nafta e gjelbër paguhet më rregullisht, kjo ndodh në muajin maj gjatë procedurës për zgjedhjen e operatorit dhe në atë pjesë nuk ka pasur ndalesë”, tha Nikollovski.
Vetëm në Shën Nikollë 2.500 bujq kanë marrë kartela për naftë të gjelbër, ndërsa vlera e shpenzuar është pothuajse dy milionë denarë.