Pasi parlamenti i ri u mblodh katër herë – dhe prapë nuk arriti të zgjedhë një kryetar – ekspertët parashikojnë ose formimin e një qeverie të dobët, ose zgjedhje të parakohshme.
Nga Përparim Isufi
Ajo që në teori duhet të kishte qenë një hap procedural rutinë në Kosovë, në praktikë është bërë një pengesë serioze pasi partitë e Kosovës nuk arrijnë të bien dakord për formimin e institucioneve jetësore pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
E mërkura shënoi përpjekjen e katërt nga parlamenti i ri për të zgjedhur një kryetar.
Pas vetëm disa minutash, kryetarja në detyrë njoftoi se votimi kishte dështuar përsëri. Kandidatja e partisë në pushtet Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk mori vota të mjaftueshme.
Haxhiu ishte propozuar për këtë post tre herë tashmë. Çdo herë, ajo fitoi mbështetjen e 57 votave, katër më pak se 61 të nevojshme në parlamentin me 120 vende.
Si partia që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosja ka këmbëngulur në të drejtën e saj për të kandiduar Haxhiun. Por nuk ka arritur të bindë partitë e tjera ta mbështesin atë.
Rregullorja e parlamentit i detyron deputetët të mblidhen çdo 48 orë pas dështimit për një përpjekje tjetër. “Logjika pas propozimit bazohet në kushtetutë”, tha të mërkurën Hekuran Murati, një deputet i Vetëvendosjes, pas dështimit të votimit.
Por asgjë nuk specifikon se partia fituese është e detyruar të arrijë një marrëveshje për kryetarin e parlamentit, shtoi ai.
Ekspertët e lidhin ngërçin në parlament me rezultatin e fragmentuar të zgjedhjeve, i cili i la të gjitha partitë kryesore në vështirësi për të gjetur aleatë midis rivalëve të përbetuar.
Në konflikt me të tre partitë kryesore të opozitës, Vetëvendosja po has më shumë vështirësi për të thyer murin.
“Duke gjykuar nga situata aktuale politike dhe votimi i dështuar për kryetarin e parlamentit, është e qartë se partitë nuk janë të interesuara të gjejnë një zgjidhje për krizën”, tha për BIRN Donika Emini, një anëtare e Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë, BiEPAG.
“Kjo lidhet drejtpërdrejt me faktin se asnjëra prej tyre nuk ka vota të mjaftueshme për të formuar një qeveri”, shtoi ajo.
“Kandidatja përçarëse” nuk arrin të gjejë miq
Votat e shkurtit konfirmuan Vetëvendosjen si partinë më të madhe në parlament, gjë që i jep asaj të drejtën ekskluzive për të propozuar një kryetar.
Por partitë opozitare këmbëngulin se rregullat nuk i detyrojnë ato të mbështesin këdo që propozon partia fituese.
Kjo sagë mund të zgjatet; rregullat nuk specifikojnë ndonjë afat kohor për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.
Megjithatë, Vetëvendosja duket e vendosur të qëndrojë te kandidatja e saj dhe partitë e tjera duken po aq të gatshme të vazhdojnë të thonë “jo”.
“Ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë një kandidat tjetër të Vetëvendosjes. Le të sjellin një kandidat më të pranueshëm”, tha Memli Krasniqi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, pas seancës të së mërkurës.
“Ne jemi të gatshëm të votojmë për një kandidate që nuk ka një sfond përçarës, si Albulena Haxhiu”, shtoi ai.
Më 19 prill, Krasniqi nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të reja, madje duke propozuar 15 qershorin si një datë të mundshme.
Pasi shërbeu disa mandate si deputete e Vetëvendosjes, ndërsa ishte në opozitë, Haxhiu u bë Ministre e Drejtësisë në qeverinë e fundit të Albin Kurtit.
Atje, ajo u prezantua si flamurtare për shumë nga nismat e qeverisë për reformën në drejtësi, të cilat opozita i ka sfiduar shumë herë, përfshirë edhe para Gjykatës Kushtetuese.
Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, gjithashtu e refuzon kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të kuvendit.
Hykmete Bajrami, kryetare e grupit të saj parlamentar, të mërkurën tha se nuk kishte dëshirë të arrinte një marrëveshje me partinë e Kurtit.
“Nuk kemi nevojë të takohemi me Vetëvendosjen. Kemi thënë që nga fillimi se nuk duam asnjë marrëveshje”, tha Bajrami.
Zgjedhja e një kryetari të ri të kuvendit do të hapte rrugën për bisedime për formimin e një qeverie të re koalicioni.
Pas katër vitesh qeverisje e vetme, Vetëvendosja duhet të arrijë një marrëveshje me një nga tre rivalët e betuar – PDK-në, e cila doli e dyta me 24 deputetë, LDK-në me 20 deputetë, ose Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e cila në koalicion me Nismën Socialdemokrate, NISMA, fitoi tetë vende.
AAK-ja, me pesë vende, ka përjashtuar bashkimin me një koalicion me Vetëvendosjen. Megjithatë, NISMA, e cila fitoi tre vende, ka treguar më shumë interes për të folur me Kurtin mbi një rol të mundshëm në qeveri.
Sipas sistemit zgjedhor të Kosovës, partitë etnike shqiptare konkurrojnë për 100 nga 120 vendet, me 20 të tjerat të rezervuara për komunitetet jo-shqiptare – 10 për serbët dhe 10 për komunitetet e tjera jo-shumicë, duke përfshirë turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, goranët dhe egjiptianët.
Deri më tani, nuk ka pasur kontakte me partinë Lista Serbe të mbështetur nga Beogradi, e cila fitoi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb. Në vend të kësaj, shpresat e Kurtit varen nga dhjetë deputetët e tjerë që përfaqësojnë partitë e pakicave jo-serbe.
Megjithatë, legjislacioni zgjedhor e detyron kryeministrin të emërojë të paktën një ministër nga një parti serbe e Kosovës.
“Partitë politike ende flasin sikur të jenë në mes të fushatës zgjedhore. Ato flasin në emër të zonave të tyre zgjedhore – jo për të ndërtuar një konsensus ndërpartiak”, tha Donika Emini.
“Diskursi i tyre është thjesht zgjedhor, duke u pozicionuar si kundërshtarë politikë që përgatiten për zgjedhjet e ardhshme”, shtoi ajo.
Skenarë të ndryshëm – asnjëri nuk ofron stabilitet
Vetëvendosja e Kurtit siguroi 42.3 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, që përkthehet në 48 deputetë. Për të formuar shumicën në parlamentin me 120 vende, kërkohen të paktën 61 vota deputetësh.
Vetëvendosja e bëri të qartë gjatë fushatës dhe më pas se do të preferonte të mos formonte një qeveri me Listën Serbe.
Eugen Cakolli, një studiues në Institutin Demokratik të Kosovës, me seli në Prishtinë, thotë se mbledhja e çdo shumice në parlament varet nga marrëveshjet politike midis partive.
“Duhet të thirren konsultime… dhe nëse Vetëvendosja dëshiron vërtet që parlamenti të konstituohet, duhet të punojë më seriozisht për një marrëveshje kompromisi – dhe të mos përsërisë një kandidaturë për kryetar pa shumicë dhe të presë që numri të ndryshojë”, tha Cakolli të mërkurën.
“Nuk ka… konstituim të parlamentit pa një marrëveshje. Sa më shumë që seancat përsëriten me të njëjtin rezultat, aq më e qartë bëhet se kjo fazë – pa afate dhe pa përgjegjësi – po bëhet më e përshtatshme për ta sesa vetë një zgjidhje”, shtoi ai.
Nëse dhe kur të vijë koha për bisedime koalicioni, udhëheqësit e partive do të përballen me shumë mundësi.
Por, aktualisht, asnjëra nuk ofron perspektivën e një qeverie të qëndrueshme, pasi partitë kryesore duket se ia kanë mbyllur dyert njëra-tjetrës.
Nëse Kurti nuk arrin të formojë shumicën, partive opozitare do t’u kërkohet të përpiqen. Por me një total prej vetëm 52 deputetësh, tre partitë opozitare do të duhet të fitojnë mbështetjen e të gjithë deputetëve të pakicave jo-serbe për të siguruar edhe një shumicë të vogël.
“Ajo që do ta përkeqësonte situatën është se çdo parti që ia del të arrijë shumicën do të kryesojë një qeveri të brishtë dhe do të përballet me sfida serioze”, vërejti Emini.
“Kjo shumicë do të jetë e kufizuar në kohë, sepse vitin e ardhshëm zgjedhja e presidentit të ri do të vijë në axhendë”, vuri në dukje ajo.
Një qeveri me vetëm një shumicë të vogël ka të ngjarë të mos i mbijetojë kërkesës kushtetuese – mbledhjes së një kuorumi prej 80 deputetësh për të zgjedhur një president të ri shteti në pranverën e vitit 2026.
Moszgjedhja e një presidenti do të shkaktojë automatikisht zgjedhje të parakohshme.
“Nëse zgjedhjet e parakohshme mbahen së bashku me zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2025, kjo do të jetë një çështje për të cilën partitë politike duhet të bien dakord”, tha Emini.
“Por është e qartë se ka më shumë interes për një raund tjetër zgjedhor – me shpresën se rezultati do të jetë i ndryshëm”, përfundoi Emini.