Sot shënohet një vit që kur Valon Zeqiri mori drejtimin e Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” në Tetovë – një periudhë e karakterizuar me sfida të mëdha, por edhe me rezultate konkrete në përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionimit të ndërmarrjes.
Në një përmbledhje të arritjeve, drejtori Zeqiri theksoi disa nga momentet më të rëndësishme gjatë këtij viti si:
Shpërndarja e 17 vendimeve të reja pune, të bazuara në meritë dhe nevoja institucionale – pa ndikime partiake, fisnore apo personale.
Përmbyllja e një padrejtësie shumëvjeçare, ku punëtorë me mbi 10 vite përvojë pune pa kontratë, sigurim shëndetësor apo kontribute pensionale, sot janë të barabartë me kolegët e tyre.
Stabilizimi i pagave – për herë të parë pas shumë vitesh, punëtorët e ndërmarrjes marrin rregullisht pagat mujore, janë të siguruar dhe punojnë në kushte më të sigurta e më dinjitoze.
“Nuk është sukses personal, por një arritje kolektive e gjithë ekipit të NPK Sharrit dhe, mbi të gjitha, e vetë punëtorëve që për vite me radhë kanë qëndruar në heshtje, pa garanci për të ardhmen,” tha Zeqiri.
Ai gjithashtu falënderoi Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për mbështetjen e vazhdueshme dhe vizionin e përbashkët për një administratë publike të drejtë dhe efikase.
“Rruga është e gjatë, por drejtimi është i qartë,” shtoi Zeqiri. “NPK Sharri do të vazhdojë të forcohet dhe të modernizohet – si një model i qeverisjes me përgjegjësi, që i jep dinjitet punëtorit dhe rikthen besimin e qytetarit në institucionet publike.”