Edhe pse jemi në shekullin 21, qytetarët e Strugës vazhdojnë të përballen me një problem elementar – mungesën e ujit të pijshëm. Nga Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit sot kanë arsyetuar se bëhet fjalë për një defekt teknik, por realiteti është krejt tjetër: ndërprerjet e shpeshta të furnizimit me ujë janë kthyer në përditshmëri për struganët.
Ironia e madhe e kësaj situate qëndron në faktin se ish-drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Jeton Shaqiri, i cili sot mban postin e kryetarit të shtabit të AKI-së, dhe drejtori aktual Dashmir Nasufi, njëherësh zv. kryetar shtabi, dalin para qytetarëve duke kërkuar vota me premtimin e ujit të pijshëm – një të drejtë bazë që struganët nuk e gëzojnë prej vitesh.
Banorët shprehen të zhgënjyer dhe të indinjuar, duke theksuar se në vend të premtimeve elektorale, ata presin zgjidhje reale për problemin jetik të furnizimit me ujë.