Debati për vlerësimin dhe vërtetësinë e maturës shtetërore në Maqedoninë e Veriut mbetet ende i hapur. Një ndër rastet që thekson këtë është edhe përvoja maturantit Aldin Zendeli nga Tetova. Megjithëse zotëron anglishten në nivel të avancuar dhe po përgatitet për studime në SHBA, ai u vlerësua me notën 2 në provimin e gjuhës angleze. Ai nuk është i vetmi, drejtues shkollash pranojnë raste të ngjashme, ndërsa mësimdhënës e organizata të arsimit kritikojnë mungesën e transparencës, metodat e vjetruara të testimit dhe sistemin që, sipas tyre, prodhon padrejtësi. Institucionet thonë se ka mundësi ankese, por shumë nxënës nuk kanë besim në këtë proces dhe institucione, shkruan Portalb.mk.
Aldin Zendeli, maturant nga gjimnazi “7 Marsi” në Tetovë, ndau me Portalbin një përvojë zhgënjyese pas përfundimit të provimit të maturës shtetërore në gjuhën angleze.
Megjithëse zotëron anglishten në nivel të avancuar dhe ka ndihmuar bashkëmoshatarë të tij gjatë përgatitjes për provim, të cilët, sipas tij, morën nota më të larta, vetë Aldini u vlerësua me notën 2.
Ai madje thotë se është duke u përgatitur për të aplikuar në kolegje në Shtetet e Bashkuara.
“Ky vlerësim nuk përputhet aspak me aftësitë e mia reale. Po përgatitem për të dhënë provimin TOEFL dhe kam projekte në gjuhën angleze që tregojnë qartë njohuritë e mia” thotë Aldin Zendeli.
Ai shpreh shqetësimin se ky nuk është vetëm një gabim individual, por një shembull i padrejtësisë dhe mungesës së transparencës që prek shumë nxënës.
“Nuk e kam paraqitur rastin në shkollë apo të bëj ankesë, besoj që edhe nëse bëj ankesë ajo nuk do merret parasysh”, tha Aldin Zendeli.
“Në shkollë janë të shkëlqyer, në provim marrin 0 pikë”
Drejtori i gjimnazit “7 Marsi”, Ismail Vllashi, konfirmoi se janë paraqitur të paktën dy raste ku nxënës të shkëlqyer janë vlerësuar me 0 pikë.
“Kemi dy raste ku nxënësit kanë parashtruar ankesa te Qendra Shtetërore e Provimeve pasi janë vlerësuar me 0 pikë, bisedohet për nxënës të shkëlqyeshëm. Ka raste kur është vlerësuar nxënës i shkëlqyeshëm që e njeh mirë gjuhën angleze fhe ka marrë notën 2”, tha Ismail Vllashi.
Nga ana tjetër, drejtori i gjimnazit “Kirili Pejçinoviq”, Jeton Kamberi, e pranon se mund të ketë raste kur nxënësit kanë pritshmëri më të larta, por ata kanë të drejtën e ankesës.
“Notat sivjet te shkolla jonë kanë qenë më të larta se kurdoherë. Sidoqoftë nxënësi i pakënaqur ka afat ankese deri në QSHP. Tre nga nxënësit tonë kanë parashtruar ankesë”, tha Jeton Kamberi.
“ChatGPT ka funksionuar për mrekulli” dhe nxënësit marrin nota të mira, por a janë reale?
Një profesoreshë e gjuhës angleze nga një shkollë e mesme e Tetovës, që dëshiron të mbetet anonime, ngre shqetësimin se në shkollë notat janë të mira, por vlerësimet nuk janë gjithmonë reale.
“Problem që duhet trajtuar është se sa janë reale dhe sa ka kontrolle ky lloj testimi. ChatGPT ka funksionuar për mrekulli”, theksoi ajo.
Gjithashtu, profesori Naser Miftar në OpenMic në Portalb.mk shprehu skepticizëm për mënyrën si realizohet matura në vend.
“Unë mendoj se jam shprehur edhe më herët në këtë drejtim në formën që ne e realizojmë maturën më duket sikur është e tepërt”, tha Naser Miftari.
Sistem që “ta kujton komunizmin”
Forumi për Ndryshime në Arsim, organizatë e angazhuar për reforma në arsim, shprehet ashpër ndaj mënyrës së organizimit të provimit të maturës.
“Vetë forma e organizimit të këtij provimi le shumë për të dëshiruar dhe ta kujton komunizmin, pastaj problemet janë zinxhir, nëse një komision duhet të kontrollojë qindra e mijëra teste hard-copy, me, ose padashje do të shfaqen probleme të kësaj natyre”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.
Ata propozojnë kalimin në një sistem digjital, ku nxënësit të testohen online dhe të marrin rezultatet me sqarime të menjëhershme.
“Deri atëherë, ne ju bëjmë thirrje studentëve që dyshojnë se provimi i tyre nuk është kontrolluar siç duhet të ankohen deri në instancën e fundit”, apeluan nga FNA.
Ankesa si e vetmja rrugë, por jo gjithmonë funksionale
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP) pranuam përgjigje thuaj se identike: nxënësit kanë të drejtë ankese dhe se procesi është transparent.
“Çdo nxënës që nuk është i kënaqur me rezultatin mund të paraqesë ankesë pranë komisionit shkollor të maturës, i cili ia paraqet atë QSHP-së. Të gjitha ankesat shqyrtohen nga një komision prej tre anëtarësh dhe nëse komisioni i konsideron ato të bazuara, ankesa do të pranohet. Kundërshtimet e të cilëve nuk pranohen, mund të kontaktojnë QSHP-në dhe të inspektojnë testin për të parë se ku kanë gabuar. Nxënësit njoftohen në kohën e duhur dhe janë të vetëdijshëm për këtë mundësi”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Sipas ministrisë, këtë vit numri i nxënësve që u përpoqën të kopjojnë ishte më i ulët në krahasim me vitet tjera.
“Çdo kandidat që beson se është bërë një gabim në vlerësimin e detyrave të provimit mund të paraqesë një kundërshtim ndaj notës së provimit. Ankesa shqyrtohet nga komisioni përkatës i ankesave. Nëse komisioni, bazuar në shqyrtimin e materialit të provimit, arrin në përfundimin se kundërshtimi i kandidatit është i bazuar, ai përcakton numër përfundimtar pikësh, d.m.th. kundërshtimi do të pranohet. Të gjithë kandidatët që kundërshtojnë mund të kontaktojnë QSHP-në dhe të caktojnë një inspektim të testit në mënyrë që të shohin përgjigjet e tyre të sakta dhe të pasakta”, thanë nga Qendra Shtetërore e Provimeve.
Nga Qendra Shtetërore e Provimeve nuk treguan se sa ankesa kanë pranuar këtë vit.
Por në praktikë, shumë nxënës nuk ndihen të inkurajuar ta ndjekin këtë rrugë deri në fund dhe nuk kanë besim.
Për shumë prej tyre, sikurse Aldini, një notë e padrejtë mund të ndikojë direkt në aplikimet për bursa, kolegje, apo të ardhmen e tyre akademike.
Ndryshe, këtë vit provimin shtetëror të maturës e morën mbi 15 mijë nxënës. Nxënësit që nuk arritën të kalojnë me sukses provimin në afatin e qershorit, do të mund të hyjnë në afatin e gushtit.