Në Dibër, je me fat nëse gjen vendparkim!

4 Min. Leximi

Në prag të verës, kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, ka bërë të ditur se, edhe këtë vit, komuna, në bashkëpunim me shkollat fillore, ka mundësuar përdorimin e oborreve të tyre për parkim, sidomos atij të shkollës “Penestia”

Dibër, 15 gusht – Dibra, këto ditë verore, është përplot me njerëz dhe automjete. Makineritë mbajnë targa të Italisë, Austrisë, Zvicrës, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, si dhe të Shqipërisë, Kosovës dhe shteteve të tjera ku jetojnë e punojnë mërgimtarët tanë. Si popullsia lokale, ashtu edhe mërgimtarët, përballen me çmimet e larta të prodhimeve ushqimore dhe shërbimeve në restorante e kafiteri. Por, një ndër problemet më të mëdha për të gjithë mbetet mungesa e parkingjeve. Numri i automjeteve pothuajse është trefishuar, ndërsa rrugët e Dibrës janë të ngushta për qarkullimin e tyre, gjë që e bën shumë të vështirë gjetjen e një vendi për parkim. Rruga kryesore “Elena Gjika” është pothuajse e bllokuar nga mëngjesi e deri vonë në mbrëmje, ndërsa situata është e njëjtë edhe në rrugët dytësore të qytetit. Brenda ditës, qarkullojnë edhe shumë banorë nga komunat fqinje rurale, si Qendër Zhupa dhe Mavrovë–Rostushë.

- Advertisement -

“Problemi kryesor për ne si mërgimtarë në Itali, kur vijmë në Dibër nga fshati Ballancë i Qendër Zhupës, është parkimi i automjetit. Nuk ka parking të mjaftueshëm që të parkojmë pa problem. Pushteti vendor duhet ta zgjidhë këtë çështje”, thotë Sefit B. për gazetën KOHA.

- Advertisement -

Takojmë edhe Besim F., një mërgimtar nga Gjermania. “Në Mynih jetoj me familjen prej më shumë se një dekade. Nga Dibra u shpërngula në Gjermani, por çdo verë vij në vendlindje. Kam shtëpinë time në lagjen Venec. Normalisht kemi nevojë të blejmë produkte të ndryshme, por kur dal me veturë, has gjithmonë vështirësi për parkim”, na tregon ai. Raim I., nga Dibra, por me banim në Amerikë, ka marrë një veturë me qira dhe thekson se parkimi është një problem i madh për të. Ai qëndron tek vëllai i tij në periferi të qytetit dhe thotë se “duhet të kesh shumë fat për të gjetur një vend të lirë për parkim.”

Ky problem përsëritet prej vitesh, por bëhet më i mprehtë gjatë sezonit veror, kur numri i mërgimtarëve rritet dhe qarkullimi në rrugë shtohet ndjeshëm. Në prag të verës, kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, ka bërë të ditur se, edhe këtë vit, komuna, në bashkëpunim me shkollat fillore, ka mundësuar përdorimin e oborreve të tyre për parkim, sidomos atij të shkollës “Penestia”. Po ashtu, një sipërfaqe e madhe në afërsi të çerdhes “Breshia” dhe të Organit të Punëve të Brendshme shfrytëzohet si parking.

Megjithatë, edhe pse janë liruar sipërfaqe shtesë dhe disa rrugë janë shndërruar në një korsi për të shërbyer si parking, numri i madh i automjeteve shpesh e bllokon qarkullimin. Qytetarët theksojnë se Dibrës i nevojitet një parking i madh qendror, përveç atyre që ndodhen përgjatë rrugëve kryesore, para parkut të qytetit, afër Qendrës për Kulturë, pranë Spitalit të Përgjithshëm dhe në zona të tjera. Çështja është diskutuar prej vitesh, edhe nga Këshilli Komunal aktual. Edhe pse lirohen hapësira plotësuese, ekspertët e Komisionit për Siguri në Komunikacion pranë pushtetit vendor thonë se numri i madh i automjeteve mund të kërkojë ndërtimin e një parkingu me kate. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull