Ndjekje si në filma – dy shtetas të Kosovës arrestohen nga Policia e Maqedonisë, transportonin emigrantë nga Kina

2 Min. Leximi

Policia e Maqedonisë së Veriut njofton se janë ndaluar dy shtetas të Kosovës, të cilët siç thonë nga policia, dyshohen për transport joligjor të emigrantëve nga Kina.

Siç njoftojnë nga MPB, bëhet fjalë për personat G.L. 24 vjeç dhe B.L. 18 vjeç. Ata po i transportonin emigrantët me veturë “VW Caddy”, ndërsa janë arrestuar pas tentimit për të ikur nga policia, përcjell Telegrafi Maqedoni.

- Advertisement -

“Më 31.07.2025, rreth orës 22:30, zyrtarët policorë ndaluan G.L. (24) dhe B.L. (18), të dy nga Kosova, pasi në automjetin “Volkswagen Caddy“ me targa kosovare, që drejtohej nga G.L, ndërsa pasagjer ishte B.L, u gjetën tetë emigrantë nga Republika Popullore e Kinës”.

“Rreth orës 21:40, automjeti ishte vërejtur duke lëvizur në autostradën nga Gradsko drejt Shkupit dhe nuk kishte ndaluar në shenjën për ndalim, dhe kishte vazhduar të ikte. Gjatë ndjekjes nga patrullat policore, drejtuesi i automjetit dëmtoi stacionin e pagesës në Gradsko, ndërsa në Katllanovë u përplas në lëvizje me një veturë “Opel Insignia” me targa të huaja, si dhe shkaktoi dëme në një motoçikletë me targa të Maqedonisë”.

“Më pas, ai dëmtoi edhe rampën në pikën e pagesës në Petrovec. Pasi vazhdoi lëvizjen, tek nyja e rrugës drejt Prishtinës, në unazën e Shkupit, drejtuesi humbi kontrollin dhe automjeti doli nga rruga. Ai më pas sulmoi fizikisht një zyrtar policor në tentativë për t’u arratisur, por u neutralizua dhe u ndalua. Gjatë përpjekjeve për të ndalur automjetin, policia qëlloi me plumba paralajmërues, por fatmirësisht askush nuk u lëndua”, thonë nga MPB.

Të dy personat janë dërguar në stacionin policor, ndërsa emigrantët u vendosën në një qendër tranziti.

- Advertisement -

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull