Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, ka raportuar se iu desh të futej në strehimore pesë herë gjatë natës, si pasojë e një vale sulmesh raketore të nisura nga Irani ndaj territorit izraelit.
“Ka qenë një natë e vështirë në Izrael,” shkroi Huckabee në një postim në platformën X mëngjesin e së shtunës.
Ai shtoi se Shabbat, dita e pushimit hebraik, “duhet të jetë e qetë, por ndoshta nuk do të jetë”.
Sulmet iraniane vijnë në formë hakmarrjeje ndaj bombardimeve ajrore të fundit të Izraelit mbi Teheranin, duke rritur rrezikun e një konflikti të gjerë në rajon.
Të mërkurën, përpara nisjes së sulmeve izraelite, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes kishin urdhëruar largimin e personelit jo-thelbësor nga disa misione diplomatike në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm të dhunës.
Situata në Izrael dhe në të gjithë rajonin vijon të jetë e tensionuar, ndërsa autoritetet ndërkombëtare po bëjnë thirrje për përmbajtje dhe diplomaci, mes frikës së një konflikti të hapur ushtarak midis dy fuqive rajonale.