Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, është e mendimit se kryetari i LVV-së, Albin Kurti, për më shumë se dy dekada ka vepruar kundër shtetit të Kosovës.
Musliu shtoi se që nga dita e daljes së tij nga burgu, Kurti ka kanalizuar energjinë e tij jo për forcimin e shtetësisë, por për “minimin sistematik” të saj, duke e sfiduar, delegjitimuar dhe në fund nënshtruar shtetin.
“24 vjet kundër Kosovës. Për të luftuar me kaq këmbëngulje kundër shtetit tënd për më shumë se dy dekada, duhet të jesh deri në palcë i mbushur me urrejtje dhe çmenduri. Që nga dita kur ka dalë nga burgu, Albin Kurti e ka kanalizuar energjinë e tij, jo për forcimin e shtetësisë, por për minimin sistematik të saj. Në vend që të angazhohet për shtetin që pretendon se e don, ka zgjedhur ta sfidojë, ta delegjitimojë dhe në fund ta nënshtrojë”.
“E gjithë kjo jo për ideal, por për kontroll”, u shpreh Musliu.
Tutje, deputetja e PDK-së tha se Kosova nuk ka nevojë për një njeri që, sipas saj, e sheh shtetin si një pronë personale, e demokracinë si një bezdi që pengon agjendat e tij.
Musliu tha se Kosova nuk mund të mbetet peng i një njeriu “që për mbi dy dekada nuk ka ditur tjetër veçse të përdor çdo mjet për të mohuar dhe për të bastarduar çdo të arritur dhe çdo gjë që e kemi të shenjtë”.
“Kosova nuk mund të mbetet peng i një përçarësi ekstremist që nuk njeh as komb as Zot. Tani është koha për t’u indinjuar dhe për t’u ballafaquar. Heshtja nuk është më opsion. Për Liri e Demokraci! Kundër Diktaturës”, u shpreh deputetja e PDK-së, Ganimeta Musliu.