Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në emisionin “Dialog te Lajmi”, ka deklaruar se për partitë brenda koalicionit VLEN, përparësi duhet të kenë interesat e shqiptarëve dhe jo numri i komunave që do të fitojnë në zgjedhjet lokale.
“Kur e kemi bërë koalicionin VLEN nuk i kemi dhënë shumë përparësi kush çka merr, sa merr, por ta krijojmë këtë linjë e cila do të mund të pranohet ndër shqiptarët për të mundur që ta sjellim ndryshimin. Ky bashkim dhe ky besim në këtë presim ne e pamë që e solli ndryshimin. Tani jemi në një fazë që një partner i yni si duket nuk i beson më kësaj premise dhe në vend se t’i jep përparësi interesit të përbashkët të koalicionit VLEN, rrjedhimisht dhe interesit të përbashkët të shqiptarëve i jep përparësi interesit partiak duke tentuar që ta maksimalizojë interesin partiak. Ne e kemi thënë qartas që në këtë rrugë nuk duhet t’i lëmë shqiptarët në lloç për arsye se njëri i merr 3 komuna, tjetri i merr 5 komuna. Shqiptarët na kanë thënë qartë, nuk i intereson shqiptarit kush sa komuna i merr. Shqiptarit i intereson që në këtë vend të ketë rend, të respektohemi edhe ne si shqiptarë të barabartë, të ketë zhvillim ekonomik, vendi të shkojë përpara, të bëhemi anëtar i BE-së. Jo sa komuna do të merr Taravari, sa komuna do të merr BESA, LD-ja ose partitë tjera”, Murtezani në emisionin “Dialog te Lajmi”