Profesori universitar Murat Aliu ka vlerësuar se bashkimi i VLEN-it në një subjekt të vetëm politik përbën një zhvillim pozitiv për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe për kulturën demokratike në vend.
Sipas tij, ky hap shënon një përpjekje drejt racionalizimit të përfaqësimit politik, forcimit të konkurrencës demokratike dhe tejkalimit të fragmentarizimit që për një kohë të gjatë ka karakterizuar politikën shqiptare, të ndikuar nga personalizimi dhe logjikat klanore.
Aliu thekson se një nga vlerat kryesore të këtij bashkimi është mundësia për profilizim të qartë ideologjik. Ai vlerëson se për herë të parë pas shumë dekadash krijohet hapësira që shqiptarët në vend të kenë një subjekt politik që identifikohet më qartë me të djathtën politike, duke sjellë një dimension të ri në diskursin publik.
“Në demokracitë funksionale, partitë politike nuk janë vetëm mekanizma për marrjen e pushtetit, por bartëse të vizioneve për shtetin, ekonominë dhe shoqërinë. Mungesa e diferencimit ideologjik e ka varfëruar diskursin politik shqiptar, duke e reduktuar atë në rivalitete personale dhe retorikë emocionale”, thekson ai.
Në analizën e tij, profesori Aliu vlerëson gjithashtu se do të ishte e natyrshme që edhe kampi tjetër politik të konsolidohej rreth një profili të qartë ideologjik të majtë, duke krijuar një sistem më të balancuar politik mes dy blloqeve kryesore.
Sipas tij, një ndarje e tillë do të kontribuonte në zhvillimin e një debati më substancial dhe programor, duke larguar politikën nga antagonizmat primitive dhe duke e orientuar drejt ideve dhe modeleve të zhvillimit.
Aliu kritikon fragmentarizimin e skenës politike shqiptare, duke e cilësuar atë jo vetëm si problem organizativ, por si pasojë të një “provincializmi politik” dhe mungese pjekurie qytetëruese.
“Shoqëritë politikisht të pjekura prodhojnë institucione të mëdha dhe ideologji të qëndrueshme, ndërsa shoqëritë e papjekura prodhojnë fraksione dhe partikularizma”, vlerëson ai.
Në përfundim, profesori universitar thekson se konsolidimi ideologjik i skenës politike shqiptare do të ishte një fitore jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë procesin e demokratizimit të shtetit, duke nënvizuar se demokracia nuk matet me numrin e partive, por me nivelin e vetëdijes politike që ato përfaqësojnë.

