Muhamed Elmazi paralajmëron revolucion në Saraj: Fund i braktisjes, fillim i zhvillimit!

6 Min. Leximi

Në një intervistë për PressOnline.al, kandidati i koalicionit VLEN për Sarajin, Muhamed Elmazi, shpalos planin për transformimin e komunës – nga rrugët kryesore e infrastruktura nëntokësore, deri te arsimi, shëndetësia, pastrimi i deponive dhe transparenca në vendimmarrje.

PressOnline: Si planifikoni të përmirësoni rrugët dhe infrastrukturën në Saraj?

Muhamed Elmazi: Fillimisht e rëndësishme për ne është që qytetari ta ndjejë ndryshimin. Kemi plane të qëndrueshme dhe fonde të sigurta me të cilat do të veprojmë. Do të fillojmë nga rrugët kryesore dhe lagjet të cilat kanë qenë të braktisura, me të vetmin qëllim qytetari ta ndjejë. Te infrastruktura do të fokusohemi në dy segmente, infrastruktura nëntokësore ku problematikë kryesore e plan-programit tim do të jetë uji i pijshëm dhe rrjeti i kanalizimit atmosferik dhe fekal, si dhe infrastruktura rrugore. Këtu plan, projekt konkret te infrastruktura rrugore do e kemi rreth-rrotullimin në hyrje të Sarajit dhe bulevardin e rrugës kryesore në Saraj apo gjegjësisht rrugës Dardania.

PressOnline: Çfarë do të bëni për të mbështetur arsimin dhe aktivitetet kulturore për të rinjtë?

Muhamed Elmazi: Në plan-programin tonë kemi paraparë godina të reja të shkollave fillore dhe godina të reja të çerdheve, ku kemi plane konkrete, i dimë edhe lokacionet ku do të vendosen objektet e njëjta. Do të ketë Qendër Rinore dhe Shtëpi të Kulturës, fillojmë nga ajka e kombit tonë, nga parashkollorët dhe filloristët. Gjithashtu do të kemi programe të cilat do të jenë në shërbim të tyre gjatë aktiviteteve ditore, pas orarit të punës të njëjtin, rinia jonë të ketë aktivitete, plan-programe të mbështetura nga komuna për aktivitete sportive dhe kulturore.

PressOnline: Si do të përmirësoni shërbimet shëndetësore dhe sociale në komunë?

Muhamed Elmazi: Komuna jonë vetëm se ka të formuar një Poliklinikë, e cila është pjesërisht në funksionalitet. Ne në bashkëpunim me Shtëpinë e Shëndetit – Shkup, gjegjësisht drejtorin Samir Iseni kemi pasur takime. Poliklinika në Saraj pas zgjedhjeve lokale vetëm se do të transferohet, do të jetë e mëvetësishme, jo ndër Poliklinikën e Gjorçe Petrovit. Këtu komuna do të ketë akçes në përmirësimin e infrastrukturës përreth Poliklinikës, do të siguron vende për parking e kështu me radhë edhe pjesa tjetër do të jetë zotimi ynë, të cilin ne e kemi dhënë të ketë ndihmë të shpejtë në kuadër të komunës së Sarajit. Gjithashtu në plan-programin tim parashihet godinë administrative ku jashtë pjesës së shërbimeve sociale, do të përfshihen të gjitha shërbimet administrative duke filluar nga zyrat për bujqësi, Drejtoria për të ardhurat publike, Agjencioni për Punësim e kështu me radhë, me të vetmin qëllim që qytetari i Sarajit mos bredh gjithëandej nëpër Shkup, por të gjitha shërbimet t’i ketë në vendbanimin e tij apo në komunën e tij.

PressOnline: Cilat hapa do të merrni për të ruajtur hapësirat e gjelbra, si do të mbrohet mjedisi në Saraj dhe çfarë projekteve konkrete do të nisni për riciklimin dhe pastrimin e hapësirave publike?

Muhamed Elmazi: Ne e dimë se komuna e Sarajit është e mbrojtur nga UNESCO shkaku i ujërave nëntokësore dhe ujit të pijshëm. Në disa faza, ka vende ku në komunën e Sarajit mund të formohen ekipe për riciklim të mbeturinave, ka shumë të interesuar edhe beznismenë të vendit edhe projekte të përkrahura nga beznismenë jashtë vendit. Kjo ngelet me një fizibiliti studim se si do të del, megjithatë më e rëndësishmja për ne është që të ruajmë hapësirat e gjelbërta aktuale, Qendrën Rekreative Sportive ta rigjallërojmë edhe me aktivitete tjera duke i mbrojtur këto hapësira nga ndërtimet e egra, pa leje. Njëherit deponitë të cilat janë krijuar, deponitë e krijuara në vendbanimet Radushë, Llokë, Krushopek, Svillare të Epërme, Rashçe dhe gjithandej me një bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor do i pastrojmë të gjitha, do mbjellim fidane në ato hapësira, me qëllim që të kujdesemi për shëndetin e qytetarëve dhe qytetarët t’i shfrytëzojnë ato hapësira.

PressOnline: Si do të siguroheni që qeverisja lokale të jetë transparente dhe qytetarët të përfshihen në vendimmarrje?

Muhamed Elmazi: E para dhe më e rëndësishmja për mua nesër si kreu i komunës së Sarajit, është ta rikthejmë besimin në institucionin komunë, një komunë e hapur për qytetarët, një komunë ku qytetari për çdo vendim i cili është më madhor për ta, do të thirret thirrje publike ku qytetari do të jetë prezent në hapësirat e komunës apo në ndonjë lokacion tjetër, ku do të prezantohen të gjitha projektet, do e dëgjojmë nga afër qytetarin se çka mendon për këtë vendimmarrje. Jashtë asaj, platforma të digjitalizuara të cilat do të prezantohen para qytetarëve, ku nëpërmjet atyre qytetari do të ketë akces të drejtpërdrejt, poashtu edhe në ueb faqen e komunës çdo vendim i marr do paraqitet para tyre, qofshin vendime që do të merren brenda ditës të nesërmen do të paraqiten, qofshin ato vendime kuartuale, gjashtë mujore dhe një vjetore. Jashtë asaj do kemi edhe paraqitje publike ku do të dalim para qytetarëve dhe do të japim llogari.

Muhamed Elmazi paralajmëron revolucion në Saraj: Fund i braktisjes, fillim i zhvillimit!

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull