Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dje dhe sot mori pjesë në Forumin Ekonomik Delfi që u mbajt në Greqi, ku mbajti panel diskutim me temë: “A është aleanca BE-SHBA përtej riparimit?”
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, ministri Mucunski u ndal në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, stabilitetin e rajonit, partneritetin strategjik në kuadër të NATO-s, si dhe bashkëpunimin me SHBA-në dhe lidhjen transatlantike.
Me këtë, ministri Mucunski theksoi rëndësinë e mbështetjes rajonale, e cila u shfaq veçanërisht pas tragjedisë në Koçan, duke shprehur mirënjohjen e sinqertë ndaj Greqisë për solidaritetin dhe ndihmën e treguar mjekësore.
Ministri theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është vetëm një domosdoshmëri ekonomike dhe tregtare, por edhe një parakusht për stabilitet politik dhe të sigurisë në të gjithë kontinentin. Ai tha se është e nevojshme të sigurohet një rrugë e qartë dhe e prekshme përpara për rajonin, e cila do të rivendosë besueshmërinë dhe do të përmbushë pritjet nga procesi i integrimit evropian.
Lidhur me rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mucunski nënvizoi rolin e tyre kyç si investitor – jo vetëm në atë politik dhe të sigurisë, por edhe në stabilitetin ekonomik të rajonit – duke vënë në dukje se SHBA është ndër mbështetësit më të dukshëm dhe më të fortë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.